Lufta po godet Rusinë, ekonomia jep sinjale të forta krize, Kremlini përpiqet t’i zvogëlojë
Lufta që Rusia e nisi në Ukrainë po fillon të reflektohet gjithnjë e më shumë edhe në ekonominë e saj. Ndërsa Kremlini këmbëngul se situata mbetet nën kontroll, të dhënat e fundit dhe paralajmërimet e ekspertëve flasin për një përkeqësim të ndjeshëm të klimës ekonomike.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se vështirësitë me të cilat po përballet ekonomia ruse nuk janë kritike dhe se situata makroekonomike në vend vazhdon të jetë stabile.
“Sfida ekzistojnë dhe janë të njohura, por nuk janë të tilla që të rrezikojnë stabilitetin. Qeveria dhe presidenti analizojnë rregullisht gjendjen dhe ndërmarrin masa për ta përmirësuar atë”, tha Peskov.
Megjithatë, deklaratat e tij vijnë vetëm një ditë pasi Banka Qendrore e Rusisë publikoi rezultatet e sondazhit mujor të sektorit të biznesit, të cilat tregojnë një përkeqësim të ndjeshëm të klimës së biznesit.
Indeksi i aktivitetit të biznesit në korrik ra me 4.5 pikë, duke zbritur në minus 3.6, niveli më i ulët që nga mesi i vitit 2022. Njëkohësisht janë rritur edhe pritjet për inflacionin, pas pesë muajsh rënie.
Bankieri i investimeve dhe profesori në Shkollën e Lartë të Ekonomisë në Moskë, Jevgenij Kogan, paralajmëroi se një rënie kaq e shpejtë e besimit të biznesit është regjistruar vetëm disa herë që nga viti 2002 dhe, në të kaluarën, ka qenë zakonisht e lidhur me kriza ekonomike.
Sipas tij, rritja e pritjeve për inflacion lidhet me kostot më të larta të shkaktuara nga mungesa e karburanteve, për të cilën ai fajëson sulmet e intensifikuara ukrainase ndaj rafinerive ruse.
Kogan paralajmëron se kjo situatë mund ta çojë Rusinë drejt stagflacionit – një kombinim i rritjes së çmimeve me ngadalësimin e aktivitetit ekonomik.
Ai theksoi se rritja e normave të interesit për të frenuar inflacionin mund ta ngadalësojë edhe më shumë ekonominë, ndërsa ulja e tyre për të nxitur rritjen ekonomike mund të përshpejtojë edhe më tej rritjen e çmimeve.
“Diçka do të duhet të sakrifikohet”, përfundoi Kogan.



