Zeka: Marrëdhëniet Kosovë–SHBA janë dëmtuar, dialogu strategjik nuk rikthehet brenda ditës

17 korrik 2026 | 18:22

Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, ka deklaruar se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë në një pikë shqetësuese dhe se nuk po sheh angazhim të mjaftueshëm për riparimin e tyre.

Zeka, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se dialogut strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së, nuk është një proces që mund të rikthehet shpejt, ndërsa paralajmëroi se gjatë përpjekjeve për rifillimin e tij mund të shfaqen kushte të reja.

Ai vlerësoi se Kosova nuk e ka marrë mjaftueshëm parasysh ndryshimin e rrethanave globale dhe ndryshimet në politikën amerikane, duke theksuar se vendi është dashur të përshtatet më herët me këto zhvillime.

“Nga krejt ajo që shihet jo vetëm sot por edhe më herët shihet se nuk ka përveç një relacioni të qëndrueshëm mes Kosovës dhe SHBA-së, shihet se nuk ka ndonjë angazhim për t’u riparuar këto çështje. Dialogu strategjik nuk është një mekanizëm që bëhet brenda ditës dhe sidomos në shtetet siç është Kosova që ky dialogu është pezulluar – pastaj problemet janë më të mëdha dhe problemi tek rifillim pastaj mund të dalin siç po shihet kushte nga më të ndryshme. Një çështje që ne me ose pavetëdije e kemi harruar është se bota ka ndryshuar, ka ndryshuar madje edhe politika amerikane dhe në këtë relacion është dashur ta shohim edhe ne në mënyrë që të mos vije në këtë pikë. Tash kam frikën se puna e dialogut në raport me Serbinë, çështja e disa kushteve e shumë të tjera do të jenë ‘thembra e Akilit” për Kosovën në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Zeka

Zeka kritikoi qasjen e Qeverisë aktuale në raport me SHBA-në, duke thënë se marrëdhëniet me një aleat strategjik nuk ndërtohen përmes deklaratave publike, por përmes komunikimit institucional dhe diplomacisë serioze.

“Në bazë të veprimeve (nga qeveria aktuale) shihet që nuk ka një trajtim serioz jo vetëm në këtë çështje por edhe planifikimi në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ikur ka vite kam përshtypje. Relacionet me super fuqi e shtete të mëdha nuk mbahen me këtë lloj fjalori, e gjuhë televizioni e nuk mbahen as nëpër konferenca për shtyp. Diplomacia e jashtme mbahet me komunikim dhe seriozitet të punës. Kjo çështje ka të bëjë me aspektin e ekonomise, mbrojtjes, sigurisë dhe është një lloj kontrate mes SHBA-se dhe Qeverisë së Kosovës gjë që kjo e fundit duket se nuk e ka kuptuar – veprimet e njëanshme në raport me këdo pa një konsultim dhe pa një debat të gjërë brenda institucional sidomos me SHBA-të na sjellin në një pikë që jemi sot”, u shpreh Zeka.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka njoftuar për një vizitë…