Ukraina godet thellë Rusinë
Një valë e re sulmesh ukrainase ka goditur gjatë natës objektiva strategjike në territorin rus dhe në Krimenë e pushtuar, duke shkaktuar zjarre të mëdha, ndërprerje të energjisë elektrike dhe dëme në infrastrukturën logjistike.
Sipas raportimeve të The Kyiv Independent, dronët ukrainas goditën dy nënstacione elektrike në Massandra dhe Jaltë, në Krimenë e pushtuar nga Rusia. Si pasojë, disa zona të gadishullit mbetën pa energji elektrike. Kanali pro-ukrainas Krimea Wind raportoi gjithashtu për një zjarr në një nënstacion në Jaltë, ndërsa probleme me furnizimin me energji u regjistruan edhe në Alushta.
Sulmet nuk u kufizuan vetëm në Krime. Në rajonin rus të Krasnodarit u raportua se u goditën një depo e gjigantit të tregtisë elektronike Wildberries, një parking kamionësh dhe ndërtesa banimi. Një tjetër qendër logjistike e së njëjtës kompani në Nevinnomyssk, në Territorin e Stavropolit, u përfshi nga flakët pas një sulmi. The Kyiv Independent thekson se këto pretendime nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Goditjet janë pjesë e strategjisë së Ukrainës për të çuar luftën thellë në territorin rus, duke synuar infrastrukturën që mbështet makinerinë ushtarake të Moskës. Sulmet e fundit e çojnë në katër numrin e objekteve të Wildberries të goditura brenda pak ditësh.
Më 18 korrik, forcat ukrainase kishin sulmuar dy objekte të kompanisë në Elektrostal, pranë Moskës, dhe në Kotovsk të rajonit Tambov. Një natë më vonë u godit një depo nafte në Territorin e Stavropolit, ndërsa sulmet vazhduan edhe ndaj objektivave në territoret e pushtuara.
Komandanti i Forcave të Sistemeve Pa Pilot të Ukrainës, Robert “Magyar” Brovdy, deklaroi se gjatë natës së 20 korrikut forcat e tij goditën shtatë anije të të ashtuquajturës “flotë në hije” ruse, shtatë objekte energjetike në Krime dhe objektiva të tjera ushtarake.
Këto zhvillime vijnë në kuadër të luftës së nisur nga Rusia me pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Ndërsa Moska vazhdon sulmet ndaj qyteteve ukrainase, Kievi po intensifikon operacionet me dronë dhe raketa kundër objektivave strategjike në territorin rus dhe në zonat e pushtuara, me synimin për të dobësuar aftësitë ushtarake të Kremlinit.



