Boateng e nxjerr në shitje vilën, Olise detyrohet të largohet

23 korrik 2026 | 11:38

Largimi i Michael Olises nga vila ku jeton në Mynih ka bërë bujë në Gjermani, por nuk lidhet me zërat e merkatos së futbollit.

Edhe pse gjatë javëve të fundit emri i sulmuesit francez është përfolur vazhdimisht si objektiv i Real Madridit, ndryshimi i vendbanimit të tij nuk ka të bëjë me një transferim të mundshëm.

Sipas raportimeve të “Bild”, 24-vjeçari do të largohet deri në fund të muajit gusht nga vila ku ka banuar për rreth dy vjet në Grünwald, një zonë elitare në periferi të Mynihut, më pak se dhjetë minuta larg qendrës stërvitore të Bayern Munichut.

Bëhet fjalë për një rezidencë luksoze që përfshin palestër private, kinema, kantinë verërash, zonë wellness me sauna dhe jacuzzi, si dhe pishinë të jashtme.

Megjithatë, vila nuk është në pronësi të Olises. Pronari i saj është ish-mbrojtësi i Bayern Munichut, Jérôme Boateng, i cili ka vendosur ta nxjerrë atë në shitje.

Prona, e blerë në vitin 2016 për rreth 7.4 milionë euro, sot vlerësohet në rreth 11.5 milionë euro dhe tashmë ka zgjuar interesimin e disa blerësve potencialë.

Për këtë arsye, Olise do të detyrohet të gjejë një banesë të re gjatë javëve të ardhshme.

Pavarësisht kësaj situate, nuk ka asnjë sinjal që të tregojë se francezi është pranë largimit nga Bayern Munichu.

Olise pritet ta vazhdojë aventurën e tij në Bavari, edhe pse në Madrid vazhdojnë të ëndërrojnë për transferimin e tij te Real Madridi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Brendi ndërkombëtar i fluturimeve, “Wizz Air”, ka hapur bazën në…