Hakimi: Ne i treguam Barcelonës se jemi kampionët e Evropës
Achraf Hakimi nuk e ka fshehur krenarinë pas fitores së Paris Saint-Germainit ndaj Barcelonës me rezultat 4:2, në ndeshjen e vlefshme për fazën e ligës në Ligën e Kampionëve.
Kampionët në fuqi të Evropës kanë vazhduar të dëshmojnë forcën e tyre në arenën ndërkombëtare. Pas fitores me rezultat identik ndaj Manchester Cityt një javë më parë, PSG-ja ka mposhtur edhe Barcelonën, e cila deri në këtë përballje nuk kishte pësuar humbje gjatë sezonit.
“Kur luan kundër një skuadre të tillë, dëshiron t’u tregosh se jemi kampionët dhe se synojmë të vazhdojmë të fitojmë. Duam të dëshmojmë se jemi një nga skuadrat më të mira në botë, ndoshta edhe më të mirët për momentin”, ka deklaruar Hakimi për “CBS Sports”.
Në një prononcim për mediumin francez “Foot Mercato”, mbrojtësi maroken ka vlerësuar edhe nivelin e kundërshtarit.
“E dinim se do të ishte një ndeshje shumë e vështirë. Përballë kishim një nga skuadrat më të mira në botë, e cila nuk kishte humbur ende këtë sezon. Por skuadra jonë është e jashtëzakonshme”, është shprehur ai.
Hakimi: Ishte një ndeshje fantastike
Barcelona ka arritur të rikthehet dy herë në rezultat, duke e mbajtur ndeshjen të hapur deri në minutat e fundit. Megjithatë, PSG-ja ka treguar forcën e saj dhe ka siguruar një tjetër fitore të rëndësishme evropiane.
“Ishte një ndeshje fantastike për tifozët, por edhe ne e shijuam në fushë. Në përballje të tilla duhet të mbrohemi dhe të sulmojmë në nivel shumë të lartë”, ka thënë futbollisti i PSG-së.
Objektivi është fitimi sërish i Championsit
Hakimi e ka bërë të qartë se objektivi kryesor i skuadrës pariziene për këtë sezon është fitimi për herë të dytë radhazi i Ligës së Kampionëve.
“Kemi një objektiv të madh që duam ta realizojmë këtë vit: ta fitojmë sërish Ligën e Kampionëve. Synimi ynë është të vazhdojmë të fitojmë”, ka theksuar ai.
Mbrojtësi maroken ka vlerësuar edhe ndikimin e trajnerit Luis Enrique, i cili, sipas tij, kujdeset që skuadra të mos e humbasë mentalitetin fitues.
“Trajneri sigurohet çdo ditë që të mos e humbasim mentalitetin fitues. Ne japim maksimumin dhe shpresoj të vazhdojmë të arrijmë fitore”, ka përfunduar Hakimi.



