Ndërron jetë babai i Joshua Kimmichut, mesfushori mungon ndaj Arsenalit
Joshua Kimmich ka munguar në seancën e fundit stërvitore të Bayern Munichut të martën, në prag të ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Arsenalit, dhe nuk do të jetë në fushë as në përballjen e sotme ndaj klubit londinez.
Bayerni ka njoftuar se mungesa e 31-vjeçarit lidhet me një ngjarje të rëndë që ka prekur familjen e tij.
Ylli i skuadrës bavareze është në zi pas vdekjes së papritur të babait të tij, Berthold Kimmich.
Për mesfushorin dhe kapitenin e Bayernit, kjo është një humbje e madhe, pasi babai i tij, i njohur edhe si Beppo në qytetin e lindjes, ka qenë një nga njerëzit më të rëndësishëm në jetën e tij.
Joshua është rritur me të atin, Bertholdin, nënën Anja dhe motrën Deborah. Bertholdi, i cili kishte luajtur futboll në grupmoshat e reja në Bösingen, e ka mbështetur të birin që në fillimet e karrierës së tij si futbollist.
Më vonë, rrugëtimi i Joshuas e ka çuar atë te VfB Stuttgart dhe RB Leipzig, përpara se të transferohej te Bayern Munichu, ku është shndërruar në një nga lojtarët kryesorë të skuadrës.



