Ahmeti thotë se mbi 172 mijë eurot e padeklaruara ishin ndihmë financiare nga familja, prokuroria propozon t’i konfiskohet kjo shumë

23 korrik 2026 | 12:58

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Shpend Ahmeti akuzohet se, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Prishtinës, nuk e ka deklaruar saktë pasurinë, përkatësisht nuk ka deklaruar 172 mijë e 600 euro, të enjten Ahmeti ka deklaruar se kjo shumë ishte ndihmë financiare nga familja e tij.

Ai ka theksuar se disa herë i është nënshtruar kontrollit të pasurisë nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK). Në anën tjetër, Prokuroria ka propozuar që i akuzuari të dënohet me burgim dhe gjobë, si dhe t’i konfiskohet shuma e padeklaruar.

Fillimisht, i akuzuari Ahmeti është deklaruar i pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fjalën hyrëse, prokurori special Dren Paca ka deklaruar se aktakuza do të provohet përmes provave që do të administrohen gjatë shqyrtimit gjyqësor. Në mesin e tyre përfshihen përgjigjja zyrtare e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, formularët e deklarimit të pasurisë për periudhën 2018-2022, gjatë kohës kur Ahmeti ishte kryetar i komunës, të dhënat e siguruara nga bankat dhe ekspertiza financiare.

Paca ka shtuar se, pas administrimit të këtyre provave, do të vërtetohet se i akuzuari ka deponuar mjete në vlerë prej 172 mijë eurosh, të cilat nuk i kishte deklaruar.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Arbër Istrefi, ka kundërshtuar në tërësi aktakuzën, duke pretenduar se nuk janë përmbushur asnjë nga elementet e veprës penale për të cilën akuzohet klienti i tij.

Sipas Istrefit, mjetet për të cilat pretendohet se nuk janë deklaruar kanë qenë deponime në llogaritë bankare të bëra nga vetë i mbrojturi i tij, nuk kanë origjinë kriminale dhe nuk ka pasur asnjë qëllim për fshehjen e tyre.

Vetë Ahmeti ka deklaruar se gjatë periudhës për të cilën akuzohet i është nënshtruar disa herë kontrollit të plotë nga APK-ja dhe se asnjëherë nuk ka pasur problem apo vërejtje nga ky institucion.

“Gjatë kësaj periudhe, unë i jam nënshtruar disa herë kontrollit të plotë nga APK-ja, që sipas ligjit bëhet me short dhe përzgjidhen 20 për qind e zyrtarëve. Unë jam përzgjedhur disa herë në këtë procedurë dhe, sipas Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit, në qoftë se Agjencia gjen parregullsi, i shkruan zyrtarit dhe i jep afat 15-ditor që të përmirësojë deklarimin e pasurisë. Pas këtyre kontrolleve, nuk kam marrë asnjë shkresë nga Agjencia”, është shprehur Ahmeti.

Avokati Istrefi ka propozuar që si dëshmitar të ftohet një zyrtar ligjor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, por trupi gjykues e ka refuzuar këtë propozim, me arsyetimin se tashmë është dhënë përgjigjja e APK-së lidhur me faktet që mbrojtja synonte t’i vërtetonte përmes dëshmitarit.

Procedura ka vijuar me administrimin e provave materiale dhe më pas me dhënien e mbrojtjes së të akuzuarit.

Ahmeti ka deklaruar se paratë që kishte deponuar gjatë periudhës 2018-2022 ishin ndihmë financiare nga familja e tij për shpenzime të ndryshme, pasi bashkëshortja e tij ishte e papunë në atë kohë. Ai ka mohuar se kishte pasur ndonjëherë qëllim për t’i fshehur ato.

Sipas tij, shumën nuk e kishte deklaruar pasi nuk kishte menduar se ishte i obliguar ta bënte një gjë të tillë, ndërsa ka shtuar se, për të siguruar transparencë të plotë, paratë i kishte deponuar në bankë.

“Në rastin më të keq për mua është gabim teknik”, ka deklaruar Ahmeti, duke shtuar se asnjëherë nuk ka pasur qëllim për të fshehur pasurinë.

Ahmeti ka sqaruar se paratë ishin ndihmë nga familjarët e tij, të cilët i kishin siguruar përmes punës, ndërsa, sipas tij, motivi i tyre i vetëm ishte dëshira për ta ndihmuar atë.

Ai ka shtuar se ka qenë pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ku kishte dhënë edhe komente lidhur me Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit.

Ahmeti ka deklaruar se ndihmë financiare nga familjarët kishte marrë si para ashtu edhe pas marrjes së detyrës së kryetarit të Komunës së Prishtinës.

Seanca ka vijuar me fjalët përfundimtare, ku prokurori Dren Paca ka deklaruar se është vërtetuar që i akuzuari nuk i ka deklaruar në mënyrë të saktë të ardhurat që kishte pasur obligim t’i deklaronte.

Prokurori ka propozuar që Ahmeti të shpallet fajtor dhe të dënohet me një vit e gjashtë muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë, si dhe t’i konfiskohet pasuria në shumën e padeklaruar ose ndonjë pasuri e barasvlefshme me të.

Në fjalën përfundimtare, avokati Istrefi, duke iu referuar një vendimi të Gjykatës Supreme, ka deklaruar se veprimet e të akuzuarit, në rastin më të keq, mund të cilësohen si kundërvajtje.

Ai ka pretenduar se në asnjë formë nuk është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar se klienti i tij ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, duke shtuar se është dëshmuar se nuk ka ekzistuar asnjë qëllim për fshehje.

Avokati Istrefi ka kërkuar që Gjykata të nxjerrë aktgjykim lirues.

Në seancën fillestare, të mbajtur më 21 janar 2026, Ahmeti ishte deklaruar i pafajshëm.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 23 dhjetor 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Shpend Ahmetit, i cili akuzohet se, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Prishtinës, gjatë periudhës nga viti 2018 deri në vitin 2022, ka qenë i obliguar të bëjë deklarimin e saktë, të plotë dhe në kohë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobive pasurore dhe detyrimeve financiare.

Sipas aktakuzës, Ahmeti, me rastin e paraqitjes së deklaratave vjetore pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë, duke mos deklaruar të ardhurat reale.

Aktakuza pretendon se Ahmeti nuk i ka deklaruar deponimet e parave të gatshme të realizuara personalisht gjatë viteve përkatëse, si drejtpërdrejt ashtu edhe përmes bankomatëve në llogarinë e tij personale, në vlerë të përgjithshme prej 118 mijë e 200 eurosh.

Po ashtu, sipas aktakuzës, ai nuk ka deklaruar mjetet financiare në vlerë prej 54 mijë e 400 eurosh, të pranuara në llogaritë personale të nënës së tij, L.A. Shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin në 172 mijë e 600 euro.

Me këtë, Ahmeti akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, e përcaktuar me nenin 430, paragrafi 2, lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka shprehur mbështetjen e tij…