Arsenali hidhet në sulm për Bruno Guimaraes, ofertë prej 85 milionë eurosh
Arsenali ka intensifikuar përpjekjet për transferimin e mesfushorit brazilian Bruno Guimaraes, të cilin trajneri Mikel Arteta e konsideron përforcimin ideal për repartin e mesfushës.
Pas dështimit për ta transferuar Morgan Rogers, “Topçinjtë” nuk duan të humbasin një tjetër objektiv të madh dhe kanë rritur ofertën për yllin e Newcastle United.
Sipas raportimeve nga Anglia, klubi londinez ka paraqitur një ofertë të re prej 85 milionë eurosh, e ndarë në 80 milionë euro fikse dhe 5 milionë euro bonuse.
Kjo përbën një përmirësim të dukshëm krahasuar me ofertat e mëparshme prej 64 dhe 75 milionë eurosh, të cilat janë refuzuar nga Newcastle.
Ndërkohë, Arsenali ka arritur tashmë marrëveshje personale me lojtarin.
Bruno Guimaraes ka pranuar kushtet personale dhe është gati të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare me klubin londinez, ndaj pengesa e vetme mbetet arritja e marrëveshjes mes dy klubeve.
Newcastle vazhdon të mbajë qëndrim të fortë dhe synon të përfitojë sa më shumë nga shitja e njërit prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës.
Megjithatë, Arsenali beson se oferta e re mund të jetë e mjaftueshme për ta bindur klubin anglez që ta lejojë largimin e mesfushorit brazilian.



