Biletat e shtrenjta pasurojnë FIFA-n, zbulohen të ardhurat nga Botërori 2026

29 tetor 2026 | 11:08

FIFA ka arkëtuar rreth pesë miliardë dollarë nga shitja e biletave dhe paketat e mikpritjes për Kupën e Botës 2026, sipas raportimit të gazetës britanike “The Times”.

Kjo shifër tejkalon dukshëm parashikimin fillestar të FIFA-s prej 3.3 miliardë dollarësh dhe është rreth pesë herë më e lartë se të ardhurat prej 929 milionë dollarësh nga këto burime në Kupën e Botës 2022 në Katar.

Rritja e numrit të ndeshjeve, nga 64 në Katar në 104 në edicionin e vitit 2026, ka ndikuar në rritjen e të ardhurave. Megjithatë, sipas raportimit, ndikim të rëndësishëm kanë pasur edhe çmimet më të larta të biletave dhe zbatimi i sistemit të çmimeve dinamike, përmes të cilit çmimet ndryshojnë në varësi të kërkesës.

FIFA ka përfituar gjithashtu 30 për qind të vlerës së çdo bilete të rishitur në tregun sekondar përmes platformës së saj të rishitjes.

Politika e çmimeve ka nxitur kritika nga organizatat e tifozëve. “Football Supporters Europe” i ka cilësuar çmimet si një “tradhti monumentale” ndaj tifozëve, të cilët, përveç biletave, duhet të përballojnë edhe shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit në tri shtetet organizatore: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.

FIFA nuk e ka konfirmuar shifrën prej pesë miliardë dollarësh. Në një deklaratë për “The Times”, organizata ka bërë të ditur se të ardhurat përfundimtare do të publikohen në raportin e ardhshëm vjetor, pasi të përfundojnë procedurat e auditimit.

Organizata ka njoftuar se nga gjithsej 6.81 milionë bileta, më shumë se 100 mijë janë ofruar me çmim prej 60 dollarësh, përfshirë mbi 1.000 bileta për finalen.

FIFA ka theksuar se të ardhurat nga turneu do të ndihmojnë në financimin e 211 shoqatave anëtare. Ajo ka propozuar gjithashtu një program solidariteti që synon dyfishimin e financimit të planifikuar për periudhën 2027–2030, duke e çuar atë në 6.35 miliardë dollarë.

Sipas raportimit të “The Times”, të ardhurat e përgjithshme të FIFA-s nga Kupa e Botës 2026 mund të arrijnë në 15 miliardë dollarë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Gjykata Themelore në Prizren e ka dënuar me 30 vjet…