Bëhen përgatitjet për Forumin e Tretë Ekonomik Gjermano-Kosovar
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, zhvilloi një takim koordinues me drejtorin e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Besnik Vasolli, dhe bashkëpunëtorët e tij, ndërsa përmes lidhjes online morën pjesë edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, si dhe Konsulli i Republikës së Kosovës në Düsseldorf, Behar Isma.
Takimi u fokusua në përgatitjet për organizimin e Forumit të Tretë Ekonomik Gjermano-Kosovar, i cili do të mbahet më 28 dhe 29 tetor në Prishtinë.
Në kuadër të forumit do të organizohen edhe takime B2B ndërmjet kompanive dhe përfaqësuesve institucionalë nga Kosova dhe Gjermania, me synim krijimin e partneriteteve të reja dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik.
Gjatë takimit u vlerësua se marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë vazhdojnë të jenë të forta dhe të qëndrueshme.
Gjermania mbetet partneri kryesor tregtar i Kosovës dhe destinacioni më i rëndësishëm për eksportet kosovare brenda Bashkimit Evropian.
Forumi do të fokusohet në tri fusha kryesore shërbimet digjitale, energjinë dhe infrastrukturën e qëndrueshme, si dhe prodhimin dhe bashkëpunimin industrial.
Përmes këtij organizimi synohet krijimi i mundësive të reja për kompanitë dhe shoqatat gjermane e kosovare që të shkëmbejnë përvoja, të ndërtojnë partneritete të reja dhe të thellojnë bashkëpunimin ekonomik e industrial, në përputhje me nevojat e të dy tregjeve.
Kjo qasje është në përputhje me Strategjinë për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Biznesit 2030, si dhe me zhvillimin e modeleve të reja të eko-parqeve industriale.
Dita e dytë e forumit do t’i kushtohet diasporës së Kosovës në Gjermani dhe bizneseve të saj, duke përfshirë edhe masterclass-e të specializuara që do t’u ndihmojnë bizneseve kosovare dhe gjermane të adresojnë sfidat e rritjes dhe zgjerimit në tregjet ndërkombëtare.
Forumi i Tretë Ekonomik Gjermano-Kosovar do të organizohet nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, ndërsa do të mbështetet nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.



