Pas zbulimit të “Lule Gjelit”, – Çitaku: Hetimi të shkojë deri te organizatorët dhe financuesit e profileve të rreme

25 korrik 2026 | 12:48

Vlora Çitaku e PDK’së tha se pasi u zbulua një profil i rremë që ka shpërndarë gjuhë të urrejtjes e shpifje, organet e rendit duhet të veprojnë edhe për rastet e tjera.

“Prokuroria duhet të veprojë pa asnjë hezitim. Jo vetëm për rastin e “Lule Gjelit”, por për çdo profil të rremë dhe çdo rrjet të organizuar që ka prodhuar shpifje, kërcënime, gjuhë urrejtjeje dhe manipulim të opinionit publik”.

Pjesa më e dhimbshme, thotë Çitaku është se “ky fenomen nuk duket të ketë qenë thjesht veprim i individëve të izoluar”.

“Dyshimet se rrjete të tilla janë toleruar, inkurajuar apo përdorur për përfitime politike janë jashtëzakonisht serioze dhe kërkojnë zbardhje të plotë”.

Postimi i plotë:

Tashmë u zbulua një nga mijëra profilet e rreme që për vite me radhë kanë mbjellë urrejtje, kanë shpifur, kanë përçarë dhe kanë nxitur armiqësi mes qytetarëve.

Lufta hibride në botën virtuale ka lënë dhe vazhdon të lërë pasoja të mëdha, jo vetëm politike, por edhe shoqërore. Përmbysen vlerat, rrënohen reputacione, sulmohen individë dhe minohet besimi në institucione.

Kosova nuk është përjashtim.

E mbaj mend ndikimin që pati Cambridge Analytica në debatin rreth Brexit-it. Nëse demokracitë me traditë shumë më të gjatë janë përballur me pasoja serioze nga manipulimi digjital, imagjinoni sa i cenueshëm është një shtet i ri si Kosova.

Pjesa më e dhimbshme është se, sipas asaj që po del në publik, ky fenomen nuk duket të ketë qenë thjesht veprim i individëve të izoluar. Dyshimet se rrjete të tilla janë toleruar, inkurajuar apo përdorur për përfitime politike janë jashtëzakonisht serioze dhe kërkojnë zbardhje të plotë.

Prandaj, Prokuroria duhet të veprojë pa asnjë hezitim. Jo vetëm për rastin e “Lule Gjelit”, por për çdo profil të rremë dhe çdo rrjet të organizuar që ka prodhuar shpifje, kërcënime, gjuhë urrejtjeje dhe manipulim të opinionit publik.

Hetimi nuk duhet të ndalet te administratorët e profileve. Ai duhet të shkojë deri në fund, për të zbuluar kush i ka organizuar, koordinuar, financuar apo urdhëruar.

Demokracia nuk mbrohet vetëm në kutinë e votimit. Ajo mbrohet edhe duke mos lejuar që gënjeshtra, anonimati dhe propaganda e organizuar të zëvendësojnë të vërtetën dhe debatin e lirë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Numri i vizitorëve të akomoduar në strukturat turistike në Shqipëri…