Kristalet e Revoltës së Syzifit

28 korrik 2026 | 11:56

Lulëzim ETEMAJ

Romani Revolta e Syzifit i Bardhyl Mahmutit është një nga ato vepra që tejkalojnë kufijtë e letërsisë artistike dhe shndërrohen në një akt kujtese historike, morale dhe njerëzore. Duke u mbështetur në tragjedinë e Poklekut të Vjetër të 17 prillit 1999, ku policia serbe në shtëpinë e Sinan Muqollit ka vrarë dhe djegur 26 fëmijë të mitur, 5 të rinj dhe 20 gra, ndërkaq përskaj kullës së Halil Muqollit i ka pushkatuar dy burra: Sinan Muqolli dhe Ymer Elshani, autori ndërton një rrëfim ku dokumenti historik dhe arti letrar bashkëjetojnë natyrshëm, ndërsa e vërteta historike fiton një dimension estetik dhe filozofik. Romani nuk synon vetëm të rrëfejë një krim gjenocidal, por ta ruajë kujtesën e tij dhe ta ngrejë në një përmasë universale.

Ndonëse titulli i romanit dhe ilustrimi artistik e orientojnë lexuesin drejt figurës së Syzifit, gjatë leximit bëhet e qartë se, krahas figurës së Syzifit, metafora e kristaleve fiton një rol qendror në organizimin poetik dhe etik të veprës. Pikërisht fjala kristal shndërrohet në boshtin poetik dhe emocional të rrëfimit, rreth të cilit organizohen kujtesa, filozofia, etika dhe dimensioni estetik i romanit. Në këtë metaforë përqendrohen kujtesa e viktimave, dhimbja, e vërteta historike dhe shpresa; përderisa Syzifi simbolizon revoltën, kristalet mishërojnë shkakun moral të revoltës.

Në faqet e romanit, kristalet nuk janë vetëm një figurë poetike. Në planin metaforik, kristalet janë shndërrimi estetik i hirit dhe i mbetjeve të 51 shqiptarëve të djegurë në shtëpinë-kremator të Poklekut. Përmes kësaj metafore, Bardhyl Mahmuti refuzon gjuhën e çnjerëzimit: viktimat nuk reduktohen në hi anonim, por ngrihen në rangun e diçkaje të çmuar, të pastër dhe të paprekshme nga harresa.
Kjo metaforë hap disa shtresa kuptimore. Para së gjithash, ajo ua rikthen viktimave dinjitetin që krimi synoi t’ua mohonte. Kristali simbolizon pastërtinë dhe pafajësinë e tyre, por edhe qëndrueshmërinë e kujtesës. Ashtu si kristali që ruan dhe reflekton dritën, edhe kujtesa e tyre vazhdon të ndriçojë përkundër përpjekjeve për zhdukje. Në kontrast me errësirën morale të gjenocidit, kristalet bëhen shenjë e së vërtetës. Ndërsa kujtesa që ato mbartin është e qëndrueshme, vetë kristali ruan edhe idenë e brishtësisë së jetës njerëzore, duke kujtuar se viktimat ishin fëmijë, nëna, burra e pleq, jeta e të cilëve u ndërpre mizorisht nga forcat serbe.

Përmasa etike e metaforës është po aq e fuqishme. Duke zgjedhur emërtimin kristale, autori refuzon çdo gjuhë që do t’i trajtonte viktimat si mbetje biologjike; ai i rikthen ato në qendër të ndërgjegjes njerëzore, si prani që vazhdon të kërkojë kujtim, drejtësi dhe përgjegjësi morale, politike dhe penale. Prandaj kristalet nuk e zbusin tmerrin e krimit, por e bëjnë të pamundur harresën.
Shprehja “… kristalet mbi supet tona bartnin historinë e mijëra njerëzve të zhdukur…” përmbledh idenë qendrore të romanit. Kristalet tejkalojnë kuptimin e mbetjes fizike; ato bartin historinë, kujtesën dhe përgjegjësinë morale të brezave, duke u shndërruar njëherazi në dëshmi të së vërtetës historike dhe në metaforë të ndërgjegjes njerëzore.

Pikërisht në këtë plan simbolik bëhet plotësisht e kuptueshme figura e Syzifit.
Në mitologjinë greke, Sizifi është simboli i absurdit, i dënuar ta shtyjë përjetësisht gurin drejt majës së malit, pa arritur kurrë një përfundim. Albert Kamy e shndërroi këtë figurë në metaforën filozofike të absurdit të ekzistencës dhe të revoltës së njeriut përballë tij.
Bardhyl Mahmuti e rimerr këtë simbol, por e transformon rrënjësisht. Syzifi i romanit nuk është figura mitologjike dhe as metafora ekzistencialiste e Kamysë. Ai është personi real, luftëtari i UÇK-së, Fadil Muqolli, i ngritur në nivelin e simbolit. Në vend të absurdit pa fund, ai mishëron kundërabsurdin: bindjen se përballë së keqes njeriu nuk duhet të dorëzohet, por të veprojë pa rreshtur.

Kjo bindje materializohet në barrën që ai zgjedh të mbartë: thesin me kristalet e Poklekut. Në të ka një barrë që nuk mund të matet me kandar. Në atë thes ndodhen kristalet e Lirijes gjashtëmuajshe, Qëndrimit 1 vjeç, Kushtrimit 2 vjeç, Fatosit 2 vjeç, Florentines 3 vjeçe, Eronitës 4 vjeçe, Egzonit 4 vjeç, Vahides 4 vjeçe, Mërgimit 5 vjeç, Albulenës 6 vjeçe, Mirsadit 7 vjeç, Agronit 10 vjeç, Ylberit 10 vjeç, Hafijes 10 vjeçe, Nderimit 11 vjeç, Mendo-hijes 12 vjeçe, Hasanit 12 vjeç, Besartit 13 vjeç, Rexhepit 13 vjeç, Abdullahut 13 vjeç, Naserit 13 vjeç, Shehides 14 vje-çe, Kujtimit 16 vjeç, Fatmires 18 vjeçe, Sherifes 18 vjeçe, Kimetes 18 vjeçe. Kristalet e pastra si loti i 26 fëmijëve, 5 të rinjve dhe 20 nënave të shtëpisë-kremator. Mbi të njëjtat supe rëndon edhe dhimbja për 1392 fëmijë shqiptarë, 1739 gra shqiptare të vrara dhe mbi 20 mijë femra e meshkuj shqiptarë të përdhunuar seksualisht gjatë luftës.

Në këtë kuptim, Syzifi i Bardhyl Mahmutit ngadhënjen mbi absurdin. Fitorja e tij nuk është fizike, sepse krimi nuk mund të zhbëhet dhe drejtësia historike ende nuk është përmbushur plotësisht. Guri vazhdon të rëndojë mbi supet e tij për aq kohë sa gjenocidi i kryer nga Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës nuk njihet ndërkombtarisht. Megjithatë, ai fiton në planin moral. Duke rrezikuar jetën për t’i mbledhur kristalet nga shtëpia-kremator, ai u jep atyre mundësinë të mbijetojnë si dëshmi. Së bashku me njësitin e UÇK-së, ai i strehon në një vend të sigurt, larg mundësisë që të zhdukeshin nga forcat serbe. Pikërisht ky akt e përmbys mitin klasik të Sizifit: guri nuk shtyhet më kot, por për të shpëtuar dëshminë e krimit dhe kujtesën e viktimave.

Ndryshe nga guri i Sizifit të mitit, i cili rikthehet gjithnjë në pikën e nisjes, kristalet nuk rikthehen prapa. Ato barten për ta ruajtur kujtesën dhe për ta përcjellë atë brez pas brezi. Pikërisht këtu qëndron dallimi thelbësor: revolta e Syzifit të Bardhyl Mahmutit është revoltë kundër harresës.

Duke qenë se Syzifi simbolizon revoltën, kristalet janë arsyeja dhe kuptimi i saj.

Një nga episodet më domethënëse të romanit është vizita e delegacionit të NATO-s në Poklek, më 24 mars 2000, ku merrnin pjesë sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, lordi George Robertson, si edhe gjeneralët Wesley Clark dhe Klaus Reinhardt. Gjatë kësaj vizite ata takojnë Elhame Muqollin, të mbijetuarën e vetme nga familja e saj e ngushtë. Në shtëpinë-kremator ishin vrarë tri motrat e saj- Albulena 6 vjeçe, Fatmirja 17 vjeçe dhe Vezirja 19 vjeçe; dy vëllezërit- Agroni 9 vjeç e gjysmë dhe Rexhepi 13 vjeç, si dhe nëna, Shemsija 42 vjeçe.
Në shenjë solidariteti dhe nderimi, Lordi George Robertson i dhuron asaj simbolin e Aleancës Veriatlantike të skalitur në kristal. Ky episod krijon një rezonancë të veçantë me metaforën qendrore të romanit. Kristali nuk është më vetëm metaforë e hirit të viktimave; ai bëhet edhe simbol i njohjes, i solidaritetit dhe i përgjegjësisë ndërkombëtare për ruajtjen e kujtesës së krimit. Në këtë mënyrë, tragjedia e Poklekut e kapërcen kufirin lokal dhe fiton një përmasë universale.

Po aq i rëndësishëm është edhe dimensioni etik i romanit. Mahmuti nuk mjaftohet me denoncimin e krimit; ai shtron edhe pyetje të vështira për kujtesën, përgjegjësinë dhe hipokrizinë shoqërore. Episodet ku kujtohen njerëz që dikur kishin propozuar t’i linin vetëm në mjediset e shkollës të plagosurat Elhamen, Feride Buqollin dhe Hata Krasniqin, që qentë e policisë serbe t’ua nuhatnin gjakun dhe ato të binin në duartë e tyre, ndërsa më vonë vërsulen të dalin në fotografi me delegacionin e NATO-s, zbulojnë kontrastin ndërmjet oportunizmit moral dhe sakrificës së vërtetë.

Në të njëjtën kohë, romani shndërrohet në një reflektim mbi moralin e shoqërisë sonë pas luftës, por edhe mbi mënyrën se si drejtësia ndërkombëtare u përball me krimet e kryera nga Serbia në Kosovë. Në këtë kontekst, autori ndalet te një raport autopsie i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, në të cilin nuk thuhet asnjë fjalë për shkakun e vdekjes së viktimave. Në këtë pikë Syzifi shtron pyetjen: “Cilat ishin arsyet politike që e detyruan këtë gjykatë të fshihte atë që e dinim fare mirë?!” Kjo pyetje nuk kërkon vetëm një përgjigje juridike; ajo shpreh zhgënjimin moral ndaj çdo përpjekjeje për ta relativizuar ose zbehur të vërtetën e krimit.

Gjuha e Bardhyl Mahmutit karakterizohet nga një ekuilibër i rrallë ndërmjet dokumentit historik dhe figurës artistike. Faktet nuk e rëndojnë rrëfimin; përkundrazi, i japin besueshmëri, ndërsa metaforat, simbolika dhe ndjeshmëria poetike e ngrejnë tekstin mbi nivelin e një kronike historike. Pikërisht metafora e kristaleve e përmbledh më së miri këtë bashkim të dokumentit me artin.
Revolta e Syzifit është një roman që u drejtohet para së gjithash shqiptarëve, veçanërisht brezave të lindur gjatë dhe pas luftës, për t’ua bërë të njohura përmasat e gjenocidit në Kosovë. Megjithatë, mesazhi i tij nuk duhet të mbetet i kufizuar vetëm në gjuhën shqipe. Ashtu si kristalet e Poklekut bartin kujtesën e viktimave, edhe romani meriton të flasë në anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe në gjuhë të tjera, në mënyrë që e vërteta historike të bëhet pjesë e ndërgjegjes ndërkombëtare.

Në përmbyllje, mund të thuhet se romani i Bardhyl Mahmutit është një revoltë kundër harresës. Titulli e orienton lexuesin drejt figurës së Syzifit, por gjatë leximit bëhet e qartë se revolta e tij fiton kuptim të plotë vetëm përmes metaforës së kristaleve. Nëpërmjet tyre, autori e shndërron hirin në kujtesë, kujtesën në dritë dhe dritën në një akuzë të përhershme kundër gjenocidit të kryer nga shteti i Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës. Kështu, kristalet nuk janë vetëm metafora më e fuqishme artistike e romanit; ato janë çelësi për ta kuptuar revoltën e Syzifit. Në to bashkohen dhimbja, kujtesa dhe përgjegjësia morale, duke e shndërruar revoltën nga një akt kundër absurdit në një akt të mbrojtjes së kujtesës dhe dinjitetit njerëzor.

Në fund të fundit, romani nuk rrëfen vetëm revoltën e Syzifit; ai rrëfen udhëtimin e kristaleve. Pa to, Syzifi do të mbetej një figurë e revoltës. Falë tyre, ai bëhet bartësi i kujtesës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zinedine Zidane edhe zyrtarisht ka marrë drejtimin e Kombëtares së…