Kryeprokurori Gashi prezanton prioritetet për 100 ditët e para të mandatit në krye të Prokurorit të Shtetit
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka mbajtur takimin e parë të kolegjiumit me kryeprokurorët dhe përfaqësuesit e prokurorive respektive, ku të pranishëm ishin edhe prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, si dhe përfaqësues nga Programi për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatim të Ligjit (INL) i Ambasadës Amerikane në Kosovë.
Gjatë adresimit të tij, Kryeprokurori Gashi i njoftoi kryeprokurorët me prioritetet kryesore për 100 ditët e para të mandatit që, sipas tij, kërkojnë veprime të menjëhershme institucionale, ndër të cilat: Zhvillimi i hetimeve financiare krahas hetimit dhe ndjekjes penale në rastet e korrupsionit të profilit të lartë, krimit të organizuar, shpëlarjes së parave dhe krimeve të tjera të rënda; Siguria e qytetarëve, luftimi i armëmbajtjes pa leje dhe luftimi i narkotikëve; Mbrojtja e pronës së qytetarëve; Siguria ekonomike dhe juridike e qytetarëve dhe subjekteve që ushtrojnë veprimtari ekonomike; Trajtimi i rasteve të dhunës në familje dhe mbrojtja e viktimave; Mbrojtja e integritetit të hetimeve dhe të dhënave personale; Ndjekja penale dhe politikë më rigoroze ndëshkimore ndaj personave përgjegjës që rrezikojnë sigurinë në trafikun publik; Krijimi i mekanizmit të ri mbikëqyrëse në kuadër të ZKPSH-së në funksion të ngritjes së cilësisë së punës brenda institucionit të Prokurorit të Shtetit, përkatësisht mbikëqyrjes së cilësisë së aktakuzave të kthyera nga gjykata, aktgjykimet liruese, dështimet procedurale, vërejtjet e gjykatave dhe praktikën gjyqësore, në respektim të plotë të pavarësisë institucionale të Prokurorit të Shtetit; Krijimi i një mekanizmi të brendshëm institucional në kuadër të ZKPSH-së për mbrojtjen e prokurorëve në rastet kur ata atakohen padrejtësisht gjatë ushtrimit të funksionit dhe detyrave të tyre zyrtare; si dhe forcimi i komunikimit të brendshëm institucional dhe respektimi i vijës hierarkike.
Këto çështje Kryeprokurori Gashi i konsideroi si nevojë të kohës, të cilat synojnë rritjen e efikasitetit në ndjekjen penale, në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe forcimin e besimit të publikut në institucionin e Prokurorit të Shtetit.
Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga kryeprokurorët që brenda një afati të arsyeshëm kohor, secila prokurori e shkallës së parë t’i paraqesë Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit një plan fillestar për trajtimin e çështjeve të përmendura më lart, e të cilat bien në kompetencë lëndore dhe territoriale të tyre.
Po ashtu, në këtë takim u diskutuan edhe çështje të tjera profesionale. Ndërsa, kryeprokurorët dhe përfaqësuesit e prokurorive raportuan lidhur me gjendjen e përgjithshme të prokurorive të tyre, veçmas për: gjendjen me lëndë të vjetra; efikasitetin në trajtimin e lëndëve; rastet me interes të lartë publik; sfidat kryesore të prokurorive që ata i menaxhojnë, si dhe nivelin e zbatimit të SMIL-it në secilën prokurori.
Në përmbyllje të takimit, Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, garantoi mbështetjen e plotë institucionale dhe u ofroi bashkëpunim të ngushtë të gjithë kryeprokurorëve dhe prokurorëve të shtetit në nivel vendi, për luftimin e të gjitha formave të kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit.



