Arrestohet Marko Kriçak, shefi i Policisë Kriminalistike në Serbi

01 nëntor 2026 | 10:02

Marko Kriçak, shefi i Drejtorisë së Policisë Kriminalistike në Serbi, është arrestuar mëngjesin e sotëm me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, nën dyshimin për shpërdorim të detyrës zyrtare, raporton media “Radar“, duke iu referuar N1 Beograd.

Sipas të njëjtit burim, në bazë të së njëjtës kallëzim penal të paraqitur nga avokati i zëvendësdrejtorit të Policisë, Veselin Miliq, është ndaluar edhe shefi i Shërbimit për Luftimin e Krimit, Boshko Sekulloviq.

Në fund të korrikut, përfaqësuesit ligjorë të Miliqit paraqitën kallëzim penal në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd, përkatësisht në Departamentin e Posaçëm për Luftimin e Korrupsionit, kundër Kriçakut dhe Sekulloviqit, për dyshime mbi shpërdorimin e detyrës zyrtare në rastin „Senjak 27“, në dëm të Miliqit.

Në një komunikatë të zyrës ligjore „Vasiljeviq Legal“ thuhej se, sipas mbrojtjes, dy të kallëzuarit nuk i kishin dorëzuar prokurorit kompetent prova që dispononin dhe të cilat, pretendohej, dëshmonin qartë se faktet e paraqitura në kallëzimin penal kundër Miliqit nuk ishin të vërteta.

Sipas tyre, kjo ishte vërtetuar edhe me hedhjen poshtë të të gjitha pretendimeve të kallëzimit penal dhe plotësimeve të tij. Avokatët vlerësuan gjithashtu se, përmes veprimeve të kundërligjshme dhe për motive personale, Kriçaku dhe Sekulloviqi kishin dëmtuar reputacionin e Miliqit në opinion dhe kishin ndikuar në shkarkimin e tij nga pozita e shefit të Drejtorisë së Policisë së Beogradit.

Arrestimi i mëparshëm i Veselin Miliqit

Kujtojmë se ish-shefi i Policisë së Beogradit, Veselin Miliq, ishte arrestuar më 12 maj, së bashku me dhjetë persona të tjerë, lidhur me vrasjen e Aleksandar Neshoviqit, të njohur si Bajja, në restorantin „27“ në Senjak.

Dyshohet se ndaj Neshoviqit kishte qëlluar Sasa Vukoviq, i njohur me nofkën Boske.

Fillimisht ekzistonin dyshime se krimi ishte kryer në prani të Miliqit dhe se ai, së bashku me tre policë të tjerë nga sigurimi i tij, kishte marrë pjesë në largimin e gjurmëve nga vendi i ngjarjes. Megjithatë, Prokuroria e Lartë Publike më 3 qershor njoftoi se kallëzimi penal kundër tre policëve ishte hedhur poshtë për mungesë provash.

Miliqi ishte marrë në pyetje për herë të parë më 15 maj, ditën e arrestimit, kur kishte dhënë deklaratën e tij mbrojtëse. Një ditë më vonë, ndaj tij ishte caktuar masa e paraburgimit deri në 30 ditë.

Ai ishte marrë sërish në pyetje më 3 qershor, pas sigurimit të provave të reja, njoftoi Prokuroria e Lartë Publike.

Më 29 maj ishte kryer bastisje në banesën e tij dhe në hapësirat zyrtare, 14 ditë pas arrestimit.

Pas marrjes së tij të dytë në pyetje, avokati mbrojtës, Nemanja Vasiljeviq, u kishte shpërndarë mediave një pjesë të deklaratës së pretenduar të Miliqit, në të cilën ai akuzonte kolegët se po përpiqeshin t’ia kurdisnin rastin. Ai pretendonte gjithashtu se provat e përmendura në kallëzimin penal nuk i ishin paraqitur prokurorit.

Më 9 qershor, Prokuroria e Lartë Publike hodhi poshtë kallëzimin penal kundër Miliqit për veprën penale „ndihmë autorit pas kryerjes së veprës penale“, lidhur me ngjarjen në restorantin „27“ në Senjak.

Më 6 korrik, Këshilli i Gjykatës së Lartë në Beograd vendosi që Miliqi të mbrohej në liri.

Ndërkaq, më 10 korrik, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd paraqiti në Gjykatën e Lartë aktakuzë ndaj tij, nën dyshimin se nuk kishte raportuar një vrasje të rëndë për të cilën kishte marrë dijeni gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare. Ai dyshohet gjithashtu se në një shënim zyrtar kishte përfshirë të dhëna të pavërteta dhe kishte lënë jashtë fakte të rëndësishme lidhur me kontaktet e tij me personat e përfshirë në ngjarje.

Trupi i pajetë i Aleksandar Neshoviqit, ndërkohë, ishte gjetur më 21 maj, brenda një fuçie në territorin e komunës së Inxhisë, në prani të prokurorëve publikë nga Prokuroria e Lartë Publike.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Policia e Kosovës ka shqiptuar 1 mij e 633 tiketa…