Zidane flet për herë të parë si selektor i Francës
Zinedine Zidane ka folur pas emërimit si selektor i ri i Kombëtares së Francës, duke e cilësuar këtë detyrë si realizimin e një ëndrre të madhe.
Në fjalët e para pas emërimit, Zidane ka nisur me një mesazh mbështetjeje për zjarrfikësit dhe punëtorët e sektorit të bujqësisë, të cilët po përballen me situatën e krijuar nga zjarret në Francë.
“Përshëndetje të gjithëve, faleminderit president. Dëshiroja të dërgoja një mesazh mbështetjeje për të gjithë zjarrfikësit dhe njerëzit që punojnë në sektorin e bujqësisë. Ky është mendimi im i parë”, ka thënë Zidane.
Legjenda franceze ka treguar se gjatë viteve të fundit ka refuzuar oferta nga klube të ndryshme, pasi synimi i tij ka qenë drejtimi i “Gjelave”.
“Në një farë mënyre, kjo është vazhdimësi e një ëndrre. Gjatë katër apo pesë viteve që kur ndalova së trajnuari, kam pasur oferta për t’u rikthyer në klube, por i refuzova të gjitha, sepse Kombëtarja e Francës ishte e vetmja punë që doja pas Real Madridit”, ka deklaruar Zidane.
Ai ka falënderuar Didier Deschampsin për punën e bërë në krye të përfaqësueses franceze dhe ka premtuar një kapitull të ri me ambicie të mëdha.
“Do ta vendos gjithë energjinë time në këtë ekip. Mezi pres të filloj”, ka thënë Zidane.



