Olise te Real Madridi? Flasin nga Bayerni
Drejtori ekzekutiv i Bayern Munichut, Jan-Christian Dreesen, i ka hedhur poshtë zërat që e lidhin Michael Olisen me një transferim te Real Madridi, duke theksuar se sulmuesi francez nuk do të largohet nga kampionët e Gjermanisë.
I pyetur nëse Olise do të vazhdojë të jetë pjesë e Bayernit, Dreesen është përgjigjur pa hezitim: “Po, sigurisht”.
Ai ka shtuar se klubi bavarez nuk është kontaktuar asnjëherë zyrtarisht nga Real Madridi.
“Nuk e kemi marrë asnjë letër, asnjë faks dhe asnjë telefonatë nga Spanja. Është e habitshme se si përhapen disa histori, kur ne e dimë shumë mirë të vërtetën”, ka deklaruar Dreesen.
Shefi i Bayernit ka zbuluar gjithashtu se shumë persona e kanë pyetur nëse klubi do ta shiste Olisen në rast të një oferte të madhe, por sipas tij, askush nuk ka sugjeruar që lojtari duhet të largohet, qoftë edhe për 200 milionë euro.
Olise ka kontratë me Bayern Munichun deri në verën e vitit 2029 dhe drejtuesit e klubit e konsiderojnë atë një nga lojtarët kyç të projektit të tyre.
Për këtë arsye, largimi i tij nuk është në diskutim, pavarësisht spekulimeve të fundit që e kanë lidhur me Real Madridin.



