Policia me detaje për rastin ku humbi jetën një person pas shembjes së kranit
Një person ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve të marra në incidentin e ndodhur sot në rrugën A në Prishtinë, ku u shemb një kran në një vendpunishte.
Lajmin e ka konfirmuar, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i cili bëri të ditur se dy persona pësuan lëndime trupore dhe u dërguan për trajtim mjekësor.
Sipas tij, njëri nga të lënduarit nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve, ndërsa vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor. Si pasojë e lëndimeve, njëri nga ta nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipa mjekësore në QKUK. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme. Aktualisht, njësitet relevante policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë filluar hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, ka thënë Pllana.



