Inspektorati i Punës: Punëtori humbi jetën nga rënia e kranit në vendpunishten “Vëllezërit Asllani” në Prishtinë

28 korrik 2026 | 19:17

Një punëtor e humbi jetën derisa një tjetër pësoi lëndime të rënda pas rënies së një krani në një vendpunishte në rrugën A në Prishtinë.

Pas kësaj ngjarje tragjike, ka reaguar edhe Inspektorati Qendror i Punës.

IQP-ja bëri të ditur se subjekti nuk kishte qenë më parë objekt i inspektimit, pasi punimet ndodheshin në fazën fillestare të ndërtimit, konkretisht në realizimin e themeleve.

Sipas Inspektoratit, është ende herët për të nxjerrë përfundime mbi shkaqet e aksidentit. Institucioni thekson se natyra dhe rrethanat e rastit kërkojnë hetime dhe ekspertiza të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e saktë të ngjarjes, si dhe përgjegjësinë lidhur me zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë.

Inspektorët e Punës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke zhvilluar veprimet inspektuese në koordinim me institucionet kompetente.

Në reagimin e tij, Inspektorati Qendror i Punës u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe kolegëve të punëtorit që humbi jetën në këtë aksident tragjik, ndërsa të lënduarit i ka uruar shërim sa më të shpejtë.

Autoritetet pritet të dalin me më shumë informacione pas përfundimit të hetimeve dhe ekspertizave që do të sqarojnë rrethanat e plota të aksidentit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një person ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve të…