Pas aksidentit fatal në Prishtinë, Inspektorati i Kryeqytetit sqaron kompetencat: Verifikimi i vinçit i takon Inspektoratit Qendror të Punës

28 korrik 2026 | 22:39

Inspektorati i Kryeqytetit ka reaguar pas aksidentit tragjik në një vendpunishte ndërtimore në rrugën “Holger Petersen” në Prishtinë, ku humbi jetën një punëtor, ndërsa një tjetër mbeti i lënduar.

Përmes një sqarimi për opinionin publik, drejtori i Inspektoratit të Kryeqytetit, Bekim Brestovci, ka shprehur ngushëllime për familjen e punëtorit që humbi jetën dhe ka uruar shërim të shpejtë për punëtorin e lënduar.

Ai ka theksuar se, sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës, kompetencat për kontrollin teknik dhe sigurinë e vinçit i takojnë Inspektoratit Qendror të Punës.

“Sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës, verifikimi i sigurisë teknike të vinçit (kranit), kontrolli i dokumentacionit teknik, inspektimi i pajisjes, si dhe mbikëqyrja e zbatimit të masave të sigurisë dhe shëndetit në punë janë kompetencë e Inspektoratit Qendror të Punës.”, thuhet në reagim.

Më tej, ai ka sqaruar rolin e këtij institucioni.

“Kjo nënkupton se Inspektorati Qendror i Punës është institucioni përgjegjës për të verifikuar, ndër të tjera, nëse vinçi i është nënshtruar kontrolleve teknike të nevojshme, nëse posedon dokumentacionin përkatës, nëse operatori ka autorizimet e nevojshme, si dhe nëse punëdhënësi ka zbatuar të gjitha standardet ligjore për sigurinë dhe shëndetin në punë.”, thuhet më tej.

Ndërsa, sa i përket kompetencave të Inspektoratit të Kryeqytetit, në reagim thuhet:

“Ndërkaq, Inspektorati i Kryeqytetit, përkatësisht Inspektorati i Ndërtimit, ushtron kompetencat e tij në zbatim të Ligjit për Ndërtim, duke mbikëqyrur zbatimin e kushteve të lejes së ndërtimit, përputhshmërinë e punimeve me projektin e miratuar dhe legjislacionin përkatës, si dhe duke ndërmarrë masat administrative të parashikuara me ligj kur plotësohen kushtet ligjore.”

Në fund, Brestovci ka bërë të ditur se Inspektorati i Kryeqytetit do të vazhdojë bashkëpunimin me Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, Inspektoratin Qendror të Punës dhe institucionet e tjera kompetente për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

“Inspektorati i Kryeqytetit do të vazhdojë të bashkëpunojë me Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, Inspektoratin Qendror të Punës dhe institucionet e tjera kompetente për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.”, thuhet në reagim, raporton Gazeta Blic.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka…