Ramosaj sqaron ndërhyrjen në rrugën te Manastiri i Deçanit: Ishte vetëm mirëmbajtje, jo aktivitet tjetër

29 korrik 2026 | 15:41

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka reaguar pas shqetësimeve të ngritura lidhur me aktivitetin e mirëmbajtjes së rrugës në Zonën e Veçantë të Mbrojtur rreth Manastirit të Deçanit.

Ramosaj ka thënë se Komuna e Deçanit është e përkushtuar në respektimin e ligjeve, veçanërisht të Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, si dhe marrëveshjeve që rregullojnë ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës në këtë zonë.

Ai ka sqaruar se aktiviteti dyditor ka përfshirë vetëm mbushjen e gropave, largimin e vegjetacionit dhe shkurreve, si dhe pastrimin e pluhurit të grumbulluar përgjatë rrugës, duke mohuar se ka pasur ndonjë veprim tjetër.

“Komuna e Deçanit ka ndërmarrë edhe më herët aktivitete të tilla mirëmbajtjeje, duke u bazuar edhe në dakordimin me personelin e manastirit, konkretisht me At Saven”, ka deklaruar Ramosaj.

Sipas tij, qëllimi i institucioneve lokale është që Deçani të mbetet një qytet i qetë, ku respektohen vlerat e të gjithëve dhe trashëgimia kulturore e historike, përfshirë Manastirin e Deçanit.

Ramosaj ka kërkuar mirëkuptim për nevojën e mirëmbajtjes së këtij aksi rrugor, duke theksuar se aktiviteti tashmë ka përfunduar.

Deçani është ndër qytetet më të qeta dhe më të sigurta për turistë e vizitorë, duke u karakterizuar nga mikpritja dhe harmonia mes komuniteteve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dyshimet për një varrezë masive në Kalludër të Vogël të…