Autoritetet e Kosovës vazhdojnë rrënimin e objekteve pa leje pranë Ujmanit

30 korrik 2026 | 11:52

Autoritetet e Kosovës i kanë vazhduar të enjten punët për rrënimin e ndërtimeve, për të cilat thonë se nuk kanë leje, pranë Liqenit të Ujmanit në veriun e banuar me shumicë serbe, bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i policisë.

Rrënimi i shtëpive dhe hoteleve të ndërtuar në tokë publike, e cila administrohet nga Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, nisi javën e kaluar, kur u rrëzuan mbi 10 objekte.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, i tha REL-it të enjten se policia po i ofron mbështetje “Ibër-Lepencit” dhe Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit në zbatimin e vendimit për rrënimet.

As Elshani e as autoritetet nuk kanë dhënë hollësi për numrin e objekteve që pritet të rrënohen gjatë këtij aksioni.
Vazhdimi i rrënimeve po ndodh me gjithë kundërshtinë nga pronarët e tyre dhe thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare për pezullimin e tyre.

Për rrënimet e javës së kaluar, pronarët u ankuan se autoritetet kosovare nuk i kishin respektuar procedurat ligjore.

Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë tha javën e kaluar se veprimi i institucioneve të Kosovës u ndërmor në kohën kur banorët kishin nisur procedura gjyqësore kundër vendimit për rrënimet.

Gjykata Themelore në Mitrovicë konfirmoi për REL-in se i ka pranuar tri padi civile kundër ndërmarrjes “Ibër-Lepenc” lidhur me rrënimet.
Për dy nga paditë, ajo tashmë e ka hedhur poshtë si të pabazuar propozimin për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë, ndërkaq për lëndën e tretë, ajo po shqyrton ende nëse do të caktojë ose jo një masë të tillë.

Sipas drejtorit të ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka, të dhënat e mbledhura treguan se shumica e këtyre shtëpive ishin ndërtuar gjatë viteve 2019-2020 në tokën e ndërmarrjes.

Mujka kishte thënë këtë muaj gjatë një diskutimi publik se “Ibër-Lepenci” e ka detyrim ligjor të mbrojë pronën që administron.
Korab Dibra, ekspert ligjor për çështje pronësore, shpjegoi më herët për REL-in se neni 23 i Ligjit për Pronën Publike shprehimisht përcakton se në pronat në pronësi publike nuk mund të fitohet pronësia përmes parashkrimit fitues, si dhe me ndërtimin e objektit në kundërshtim me legjislacionin përkatës që rregullon të drejtën e ndërtimit dhe ndërtimin.

“Kjo dispozitë e përjashton mundësinë e fitimit të pronësisë në pronën publike, nëse është ndërtuar pa leje, qoftë edhe me aplikim për legalizimin e ndërtimeve pa leje”, thotë Dibra.

Dibra shtoi se, në kuptim të ligjit, edhe ndërmarrja “ka të drejtë dhe detyrim ligjor ta mbrojë pronën që administron ndaj çdo cenimi të paautorizuar nga palët e treta”.

Por, sipas tij, ligji përcakton se organi kompetent nuk mund ta kryejë rrënimin, nëse kërkesa për legalizim apo ankesa është ende në shqyrtim.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka qëndruar…