As Barcelona e as Dortmundi, Fisnik Asllani shumë pranë transferimit në klubin e ri

03 gusht 2026 | 11:39

As Barcelona e as Borussia Dortmundi. Sulmuesi kosovar, Fisnik Asllani, është shumë pranë transferimit te RB Leipzig, me klubin gjerman që ka bërë hapa vendimtarë për ta mbyllur marrëveshjen.

Sipas raportimeve nga Gjermania, Leipzigu ka arritur një marrëveshje në parim me lojtarin dhe tani mbeten vetëm disa detaje për t’u zgjidhur para zyrtarizimit të transferimit.

Klubi gjerman është i gatshëm ta aktivizojë klauzolën e lirimit prej rreth 30 milionë eurosh, duke lënë shumë pak hapësirë për ndërhyrjen e Barcelonës.

Gjiganti katalunas e kishte monitoruar Asllanin prej muajsh dhe e konsideronte si një alternativë të mundshme në rast se nuk arrinte ta transferonte objektivin kryesor për sulmin.

Megjithatë, Barcelona nuk bëri hapa konkretë, ndërsa Leipzigu veproi më shpejt dhe tashmë është shumë pranë sigurimit të kartonit të 23-vjeçarit.

Asllani e zhvilloi një sezon të shkëlqyer me Hoffenheimin, duke tërhequr interesimin e disa klubeve të mëdha evropiane.

Vlera e kartonit të tij në faqen e specializuar Transfermarkt është 35 milionë euro, duke e bërë njëherësh lojtarin shqiptar më të shtrenjtë dhe më të vlefshëm të momentit.

Përveç Barcelonës, edhe Borussia Dortmundi ishte lidhur me emrin e tij, por aktualisht Leipzigu është favorit absolut për ta transferuar sulmuesin kosovar.

Transferimi mund të zyrtarizohet gjatë kësaj jave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mirëpritur vendimin e Gjykatës…