“Që kur ishte i vogël…” – Georgina Rodriguez prek zemrat me fjalët për djalin e Ronaldos
Georgina Rodriguez ka ndarë një sërë fotografish nga pushimet familjare me Cristiano Ronaldon dhe djalin e tij, Cristiano Ronaldo Jr., duke reflektuar mbi lidhjen e veçantë që ka ndërtuar me 16-vjeçarin ndër vite.
Modelja 32-vjeçare publikoi në Instagram momente nga udhëtimi veror, të cilin e cilësoi si një traditë familjare.
Në mbishkrimin e postimit, ajo përshkroi kujtime nga pushimet, duke zbuluar se çdo verë ajo, Ronaldo dhe Junior kalojnë kohë së bashku në det, shkruan DailyMail.
“Që kur ishte i vogël, ky udhëtim ka qenë koha jonë e veçantë. Babi, mami dhe ai, së bashku në det, verë pas vere”, shkroi Georgina, duke shtuar se këtë vit familja zbuloi shumë gjire të reja dhe shijoi momente të paharrueshme.
Në postim, Georgina vlerësoi edhe talentin artistik të Ronaldos Jr., duke e quajtur “një skulptor” dhe duke shkruar se “talenti i tij është në gjithçka që i shkon ndërmend”.
Postimi vjen në një kohë kur mediat ndërkombëtare raportojnë se Georgina dhe Cristiano Ronaldo pritet të kurorëzojnë dashurinë e tyre me martesë në Funchal të Madeirës, megjithëse çifti ende nuk ka konfirmuar zyrtarisht këto raportime.
Ronaldo dhe Georgina janë prindër të Alana Martinës dhe Bella Esmeraldës, ndërsa futbollisti ka edhe binjakët Eva Maria dhe Mateo, si dhe djalin e madh Cristiano Jr., për të cilin ka kujdestarinë e plotë.






