GIZ-i dhe OEGjK-ja nënshkruajnë marrëveshje granti për investime në energjinë e ripërtëritshme

03 gusht 2026 | 12:10

GIZ Kosova dhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGjK–KDWV) kanë nënshkruar një marrëveshje granti për forcimin e bashkëpunimit dhe promovimin e mundësive për investime në sektorin e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë.

Sipas komunikatës për media, bashkëpunimi po realizohet në kuadër të projektit IKI “Mbështetje për Partneritetin për Tranzicionin Klimatik dhe Energjetik”, të zbatuar nga GIZ Kosova.

Marrëveshja u nënshkrua në zyrën e GIZ-it në Prishtinë nga Marianne Alker, udhëheqëse e ekipit të projektit IKI – Mbështetje për Partneritetin për Tranzicionin Klimatik dhe Energjetik, dhe Besnik Vasolli, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGjK–KDWV).

Përmes këtij bashkëpunimi, GIZ dhe OEGjK–KDWV synojnë të lidhin investitorët gjermanë me institucionet kosovare, institucionet financiare dhe zhvilluesit e projekteve të energjisë së ripërtëritshme.

Sipas njoftimit, nisma do të ndihmojë në krijimin e lidhjeve më të fuqishme ndërmjet akterëve të përfshirë në zhvillimin, financimin dhe zbatimin e investimeve në energjinë e ripërtëritshme në Kosovë.

Aktivitetet e planifikuara përfshijnë një forum investimesh, tryeza të rrumbullakëta me palët e interesit, ngjarje të rrjetëzimit dhe sesione të synuara për lidhjen e bizneseve. Këto aktivitete do t’u ofrojnë palëve të interesit mundësi për shkëmbimin e informatave, identifikimin e fushave të mundshme të bashkëpunimit dhe zhvillimin e partneriteteve rreth mundësive konkrete për investime në energjinë e ripërtëritshme.

Bashkëpunimi do t’u ofrojë investitorëve dhe zhvilluesve të projekteve edhe informata praktike mbi kërkesat rregullatore, teknike dhe financiare që lidhen me investimet në energjinë e ripërtëritshme në Kosovë. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rritjes së dukshmërisë së projekteve të gatshme për investim dhe lidhjes së zhvilluesve të tyre me partnerë të mundshëm gjermanë dhe institucione financiare.

“Kjo marrëveshje granti përfaqëson një hap të rëndësishëm në përkthimin e Partneritetit Kosovë–Gjermani për Tranzicionin Klimatik dhe Energjetik në bashkëpunim konkret me sektorin privat. Duke lidhur institucionet, investitorët, partnerët financiarë dhe zhvilluesit e projekteve, synojmë të ndihmojmë në krijimin e kushteve të nevojshme për investime të realizueshme në energjinë e ripërtëritshme dhe partneritete të qëndrueshme”, ka theksuar Marianne Alker, udhëheqëse e ekipit të projektit të GIZ-it.

Granti kontribuon në përpjekjet më të gjera në kuadër të Partneritetit Kosovë–Gjermani për Tranzicionin Klimatik dhe Energjetik, me synim avancimin e zhvillimit të energjisë së ripërtëritshme, forcimin e bashkëpunimit me sektorin privat dhe mbështetjen e tranzicionit të Kosovës drejt një sistemi energjetik më të pastër dhe më të qëndrueshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I riu nga Skenderaj, Fatjon Gashi, ka nderuar me një…