MPJ-ja e Malit të Zi: Nismat komunale kundër Kosovës zero efekt, vetëm na prishin imazhin dhe krijojnë tensione të panevojshme

04 gusht 2026 | 11:24

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Malit të Zi, e cila drejtohet nga Ervin Ibrahimoviq, ka deklaruar se vendimet e disa komunave malazeze për “çnjohjen” e pavarësisë së Republikës së Kosovës nuk përfaqësojnë asgjë dhe nuk kanë kurrfarë efekti.

“Sa i përket vendimeve të miratuara nga disa kuvende komunale lidhur me njohjen e Republikës së Kosovës, dëshirojmë të theksojmë se njësitë e vetëqeverisjes lokale nuk kanë as kompetencë kushtetuese dhe as ligjore në fushën e politikës së jashtme, e po ashtu nuk janë të autorizuara të miratojnë akte që prodhojnë çfarëdo efekti sipas së drejtës ndërkombëtare”, kanë deklaruar nga MPJ-ja e Malit të Zi në një përgjigje për “Express”.

Podgorica zyrtare ka sqaruar se politika e jashtme dhe aspektet që kanë të bëjnë me njohjen e shteteve dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike janë kompetencë ekskluzive e autoriteteve shtetërore të Malit të Zi, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

MPJ-ja e Malit të Zi ka kërkuar nga bartësit e funksioneve publike respektimin e rendit kushtetues të vendit dhe që të njëjtit të sigurohen se nuk e dëmtojnë imazhin e Malit të Zi dhe nuk krijojnë tensione të panevojshme.

“Ministria e Punëve të Jashtme pret që të gjithë bartësit e funksioneve publike ta respektojnë rendin kushtetues, kompetencat e institucioneve shtetërore dhe kredibilitetin ndërkombëtar të Malit të Zi, si dhe të sigurojnë që veprimet e tyre të kontribuojnë në ruajtjen e reputacionit të vendit dhe avancimin e rrugës së tij evropiane, e jo në krijimin e tensioneve të panevojshme politike dhe konfuzionit institucional”, kanë shtuar nga MPJ-ja e Malit të Zi.

Sa i përket vendimeve të marra nga disa komuna, MPJ-ja e Malit të Zi ka theksuar se ato mund të krijojnë perceptim të gabuar për mënyrën se si funksionon shteti dhe të kenë ndikim negativ në besueshmërinë e Malit të Zi në arenën ndërkombëtare.

“Për rrjedhojë, vendimet e miratuara nga kuvende të veçanta komunale nuk mund të ndikojnë në pozitën ndërkombëtare të Malit të Zi, të ndryshojnë detyrimet e tij ndërkombëtare apo të ndryshojnë politikën e jashtme të vendosur të shtetit. Vendime të tilla përbëjnë akte politike pa efekt juridik dhe mund të kontribuojnë vetëm në krijimin e një perceptimi të gabuar për funksionimin e institucioneve shtetërore dhe besueshmërinë e Malit të Zi në arenën ndërkombëtare”, është theksuar në përgjigje.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë deklaruar se përgjatë viteve dy vendet kanë pasur marrëdhënie të mira dypalëshe dhe se Podgorica zyrtare do ta mbështesë Kosovën në pjesëmarrjen dhe anëtarësimin në organizata dhe iniciativa ndërkombëtare e rajonale.

“Gjatë viteve, falë një dialogu intensiv politik, Mali i Zi dhe Kosova kanë zhvilluar marrëdhënie shumë të mira dypalëshe, të bazuara në besim të ndërsjellë, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe një perspektivë të përbashkët evropiane dhe euroatlantike. Dy vendet tona vazhdojnë të forcojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, në dobi të qytetarëve të tyre. Në këtë kontekst, Mali i Zi do të vazhdojë ta mbështesë pjesëmarrjen dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata dhe iniciativa ndërkombëtare e rajonale”, kanë deklaruar në një përgjigje me shkrim nga MPJ-ja e Malit të Zi.

Nisma kundër pavarësisë së Kosovës është nisur në maj të vitit 2026 nga Komuna e Zetës dhe më pas është pasuar nga Komuna e Plevljës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencia e…