AUV-i: Në 46 raste u gjet prani ose mosdeklarim i vajit të palmës në produktet e qumështit
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kanë bërë me dije se gjatë një aksioni të zgjeruar të kontrolleve në sektorin e qumështit janë identifikuar dhjetëra mospërputhje, ku më e shpeshta lidhet me praninë ose mosdeklarimin e vajit të palmës në produkte.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, ka deklaruar se qëllimi i kontrolleve nuk ishte gjetja e fajtorëve, por evidentimi i së vërtetës dhe mbrojtja e konsumatorëve. Ai ka theksuar se disa përpunues kanë tradhtuar besimin e fermerëve dhe qytetarëve.
Kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Bekim Hoxha, është shprehur se aksioni është zhvilluar në koordinim me Ministrinë e Bujqësisë gjatë periudhës prill-korrik 2026. “Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në koordinim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, gjatë periudhës prill-korrik 2026 ka realizuar një aksion të zgjeruar të kontrollit në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit, me qëllim verifikimin e sigurisë ushqimore, autenticitetit të produkteve, përputhshmërisë së etiketimit me legjislacionin në fuqi dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Për të arritur këtë qëllim, Agjencia ka mobilizuar të gjitha kapacitetet inspektuese dhe laboratorike në nivel vendi”, ka deklaruar ai.
Hoxha ka bërë me dije se gjatë këtij aksioni janë analizuar qindra mostra. “Si rezultat i këtij aksioni janë marrë gjithsej 495 mostra, të cilat janë analizuar për parametra të ndryshëm të autenticitetit dhe sigurisë ushqimore, duke përfshirë përmbajtjen e yndyrës, proteinës, praninë e vajit të palmës, yndyrave bimore, niseshtesë apo amidonit dhe qumështit pluhur. Rezultatet e këtij monitorimi kanë ofruar një pasqyrë të plotë, të qartë dhe të bazuar në evidenca mbi gjendjen reale të sektorit. Ky aksion përfaqëson një nga proceset më të gjera dhe më gjithëpërfshirëse të kontrollit zyrtar të ndërmarrë deri më tani në sektorin e qumështit”, ka theksuar ai.
Hoxha ka sqaruar se aksioni nuk ishte ndërmarrë kundër prodhuesve, por për të garantuar transparencë dhe mbrojtje të konsumatorit. “Këto kontrolle kanë identifikuar një numër të madh mospërputhjesh. Nga analizat laboratorike janë evidentuar disa mospërputhje në nivel përbërësish. Nga gjithsej 93 mospërputhje të identifikuara, 46 raste kanë të bëjnë me praninë ose deklarimin e vajit të palmës. Kjo përfaqëson pothuajse gjysmën e të gjitha mospërputhjeve të identifikuara gjatë aksionit dhe e bën vajin e palmës çështjen më të shpeshtë të identifikuar gjatë kontrolleve tona. Analizat tona, të cilat janë realizuar në laboratorin e AUV-it, tregojnë se në mbi 91 për qind të rasteve të mospërputhjeve, përbërësit nuk janë deklaruar në etiketë në mënyrën e kërkuar bazuar në legjislacionin në fuqi. Kjo nënkupton se konsumatori nuk ka pasur informacion të plotë dhe të saktë mbi përbërjen e produktit që ka blerë. Kur një produkt përmban vaj palme, yndyrë bimore apo përbërës të tjerë alternativë, kjo duhet të deklarohet qartë. Konsumatori duhet të informohet saktë dhe në mënyrë transparente”, ka deklaruar ai.
Ndërsa ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, ka theksuar se institucionet do të veprojnë në përputhje me ligjin dhe se raporti i AUV-it do t’i nënshtrohet procedurave administrative. “Nuk kishim për qëllim që të gjendej fajtori. Qëllimi ishte që të gjendej e vërteta. Aty duhet të mbështeten provat, analizat laboratorike, dokumentacioni teknik dhe procedurat e rregullta administrative. Për këtë arsye, kontrollet u zhvilluan në mënyrë të koordinuar dhe të dokumentuar dhe përfshinë kontrolle të plota gjithandej. Dua të theksoj edhe një parim thelbësor. Në një shtet demokratik, raportet e kontrollit zyrtar nuk janë qëllim në vetvete. Ato janë instrument për të mbrojtur interesin publik. Institucionet nuk mund të mjaftohen vetëm me evidentimin e shkeljeve, ato kanë detyrim të reagojnë në mënyrë proporcionale, të ligjshme dhe efektive”, është shprehur ai.
Muja ka bërë me dije se nga sot do të nisin procedurat për zbatimin e ligjit, duke theksuar se qumështi i fermerëve kosovarë është i sigurt, ndërsa problemet janë evidentuar te përpunuesit dhe distributorët. “Për këtë arsye, raporti dhe konstatimet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë fillimisht do të ndjekin procedurën, siç e përcakton ligji për procedurën administrative. Nga sot, kur po flasim, do të nxirret vendim sa i përket procedurës së zbatimit të ligjit në lidhje me rastet dhe raportin në fjalë. Ajo çfarë ne kërkojmë dhe është e rëndësishme që të kuptohet është se, fillimisht, prodhimi i qumështit dhe aktivitetet e qumështit, si dhe qumështi i fermerëve tanë, janë produkte që testohen nga AUV-i. Qumështi i fermerëve tanë është cilësi që ne e garantojmë përmes kontrolleve zyrtare. Qumështi i fermerëve tanë është qumësht i mirë. Por jo gjithmonë, pas dorëzimit, ruhet ajo cilësi. Dhe kjo ka qenë arsyeja e kontrolleve zyrtare pikërisht te përpunuesit dhe distributorët.
Sipas raporteve, ka të tillë që e kanë tradhtuar besimin e fermerëve dhe e kanë tradhtuar besimin e konsumatorëve. Për këtë, unë i kam kërkuar AUV-it që të veprojë proporcionalisht, por duhet pasur parasysh interesi jetik i Republikës së Kosovës për të mbrojtur konsumatorët, shëndetin publik dhe fermerët, si dhe ato aktivitete të aprovuara. Sepse sot ka nevojë që të prodhohet qumësht, sot ka nevojë që të prodhohen produkte të qumështit dhe sigurisht se secili partner dhe përpunues që është i gatshëm të punojë me AUV-in dhe Ministrinë e Bujqësisë do të mbështetet. Ne do të mbështesim vetëm ato aktivitete që janë të aprovuara”, ka deklaruar Muja.



