Zëvendësministri Dugolli viziton Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave
Zëvendësministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, ka vizituar Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave (AME), ku është pritur nga ushtruesi i detyrës së drejtorit, Shefki Avdullahi, së bashku me stafin e tij.
Gjatë takimit, duke pasur parasysh sezonin e verës dhe temperaturat e larta, është vlerësuar se deri më tani situata me zjarret është e qetë. Megjithatë, me rritjen e temperaturave rritet edhe rreziku nga zjarret, prandaj është kërkuar vigjilencë dhe gatishmëri e shtuar e ekipeve të zjarrfikjes, si dhe bashkëpunim i ngushtë ndërinstitucional, veçanërisht me komunat.
Në takim është vlerësuar se ndër shkaktarët kryesorë të zjarreve mbetet djegia e hamulloreve, praktikë e papërgjegjshme që rrezikon jetën e qytetarëve, pronën dhe mjedisin.
Për këtë arsye, është theksuar se inspektorët e AME-së, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do ta monitorojnë me vëmendje të shtuar këtë fenomen dhe do të ndërmarrin masa ndaj çdo keqbërësi, qoftë ai që vepron me dashje apo nga neglizhenca.
Zëvendësministri Dugolli u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal, ta ruajnë mjedisin dhe të bashkëpunojnë me institucionet, duke raportuar me kohë çdo rast që mund të paraqesë rrezik për shpërthimin ose përhapjen e zjarreve.



