34-vjeçari gjendet i vdekur në tarracën e shtëpisë së tij në Pejë
Një 34-vjeçar është gjetur pa shenja jete mëngjesin e sotëm në tarracën e shtëpisë së tij në Pejë.
Rasti ka ndodhur në rrugën “Vllëzëria Dalamani”, ndërsa Policia e Kosovës ka bërë me dije se viktima është gjetur nga një familjar.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka deklaruar se policia është njoftuar rreth orës 09:35 dhe menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ku edhe ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e personit.
“Rreth orës 09:35, Policia është njoftuar se në rrugën ‘Vllëzëria Dalamani’ në Pejë, nga një familjar është gjetur në tarracën e shtëpisë një person pa shenja jete. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa edhe ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës”, ka deklaruar Rugova.
Ai ka bërë me dije se për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.



