Aksident në orët e para të mëngjesit në Gjilan
Katër persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të së premtes në rrugën Gjilan–Koretishtë.
Në aksident janë përfshirë dy automjete, ndërsa ngjarja është regjistruar rreth orës 05:00.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, ka konfirmuar se të lënduar kanë mbetur të dy drejtuesit e automjeteve dhe dy pasagjerë. Sipas tij, të gjithë kanë marrë trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan dhe më pas janë liruar për në shtëpi.
Përveç të lënduarve, aksidenti ka shkaktuar edhe dëme materiale në automjetet e përfshira.
Ndërkohë, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Gjilan, në koordinim me hetuesit policorë, ka nisur procedurat hetimore për të sqaruar rrethanat dhe shkakun që çuan deri te aksidenti.



