‘LV-ja ka uzurpuar pozitat shtetërore’, Haxhiu: Nëse nuk vepron prokuroria, duhet të veprojë populli
Ish-deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka deklaruar se, pas betimit të deputetëve të legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu nuk është më kryetare e Kuvendit dhe as ushtruese e detyrës së Presidentes.
Ai ka vlerësuar se, nëse Haxhiu vazhdon të nënshkruajë në këto cilësi, atëherë kjo përbën shkelje të Kushtetutës dhe të ligjeve të Kosovës.
Përmes një postimi në “Facebook”, Haxhiu ka thënë se në këtë rast duhet të veprojë prokuroria.
“Sot dhanë betimin deputetët e Legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me këtë ka përfunduar çdo funksion i Legjislaturës së 10-të. Albulena Haxhiu nuk është më kryetare e Kuvendit dhe as u.d. e presidentes. Ajo ishte Kryetare e Kuvendit të Legjislaturës së 10-të. Pa votimin dhe zgjedhjen e Kryetarit të ri të Kuvendit të Legjislaturës së 11-të, nuk ka as ushtruese të detyrës së presidentit. Nëse Albulena Haxhiu, nga sot, nënshkruan si Kryetare e Kuvendit apo si u.d. e Presidentes, kjo është anarki e plotë dhe shkelje e ligjeve dhe e Kushtetutës së Kosovës, sepse, me dhënien e betimit, ajo është vetëm deputete, e barabartë me 119 deputetët e tjerë të Kuvendit. Në një shtet normal demokratik, kur dikush uzurpon pozita shtetërore për të cilat nuk është zgjedhur, është ‘grusht shteti’ dhe prokuroria duhet të veprojë menjëherë”, ka shkruar Haxhiu.
Ai ka shtuar se, nëse prokuroria nuk vepron, atëherë duhet të reagojnë qytetarët.
“Kur prokuroria nuk vepron, atëherë qytetarët duhet të veprojnë për t’i mbrojtur institucionet, të cilat i kemi ndërtuar me shumë mund dhe sakrificë. Këto që po ndodhin në Kosovë nuk janë zhvillime normale. Janë veprime në dëm të shtetit të Kosovës, të projektuara nga Albin Kurti dhe Dejona Mihajlli. Qëllimi është i qartë, të lodhet populli me zgjedhje, deri në nënshtrim”, ka shkruar ai.



