Kurti me ftesë të re për Hamzën, kryetari i PDK-së përgjigjet: Mbesim në opozitë, konstituoje Kuvendin

07 gusht 2026 | 12:40

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i ka dërguar letër kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e falënderuar për ftesën, por ka përsëritur qëndrimin e tij për të mbetur në opozitë, të cilin, sipas tij, ia ka shprehur edhe gjatë takimit të 10 korrikut.

Hamza në letër ka thënë se PDK-ja ka marrë këtë vendim për shkak të dallimeve programore dhe konceptuale me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Për shkak të dallimeve tona programore dhe konceptuale, Partia Demokratike e Kosovës do ta ushtrojë përgjegjësinë e saj në opozitë, brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës. Aty do ta japim kontributin tonë për forcimin e demokracisë, mbrojtjen e interesit shtetëror dhe përfaqësimin e interesave të qytetarëve”, ka shkruar Hamza në letër.

Më pas, Hamza i ka kërkuar Kurtit që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për përmbylljen e procesit të konstituimit të Kuvendit.

“Nga ju kërkojmë që sot, në përputhje me afatin e përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, të ndërmerrni hapat e nevojshëm për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit dhe t’i hapet rrugë formimit të institucioneve të reja”, ka shkruar Hamza.

Në fund, ai ka theksuar se Partia Demokratike e Kosovës do të japë kontributin e saj për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputetja Melihate Termkolli ka reaguar lidhur me mundësinë e një…