BE-ja nën presion për zgjerim, Rama për “Financial Times”: Shqipëria ndodhet në momentin më të mirë

07 gusht 2026 | 13:06

Pas 13 vitesh pa pranuar asnjë anëtar të ri, Bashkimi Evropian (BE) po përballet me presion në rritje për të rihapur procesin e zgjerimit, në një kohë kur pasiguritë gjeopolitike dhe konkurrenca mes fuqive të mëdha po intensifikohen.

Pavarësisht përpjekjeve të Brukselit për të shfaqur unitet dhe siguri kolektive përballë sfidave ndërkombëtare, brenda BE-së vazhdojnë debatet dhe dilemat mbi gatishmërinë e bllokut për të përfshirë vende të reja.

Liderët e vendeve kandidate kërkojnë përshpejtim të procesit të anëtarësimit, ndërsa disa qeveri të vendeve anëtare shprehin shqetësime nëse strukturat aktuale të Bashkimit dhe opinioni publik në vendet e tyre janë të gatshme për një zgjerim të ri.

Pas pushtimit rus të Ukrainës, zgjerimi i BE-së ka marrë një dimension të ri strategjik, duke u parë jo vetëm si proces politik dhe ekonomik, por edhe si çështje sigurie. Kjo ka rikthyer shpresat për përparim pas një dekade të karakterizuar nga ngadalësimi i procesit.

Mali i Zi, vendi që konsiderohet më afër anëtarësimit, ka përfunduar më shumë se gjysmën e reformave të kërkuara për hyrje në BE. Institucionet evropiane kanë nisur përgatitjet për hapat ligjorë të anëtarësimit, ndërsa vendi është përfshirë edhe në planet financiare të bllokut.

Ndërkohë, Ukraina dhe Moldavia kanë nisur negociatat zyrtare të anëtarësimit, ndërsa Shqipëria ka shënuar përparim në procesin e reformave për afrimin me Bashkimin Evropian.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se vendi ndodhet në një moment të rëndësishëm në rrugën drejt integrimit evropian.

“Ne kemi një rrugë të qartë drejt Bashkimit Evropian. Shqipëria është në momentin më të mirë në shumë aspekte”, është shprehur Rama për “Financial Times”.

Megjithatë, disa vende kandidate po shfaqin dyshime nëse premtimet e Brukselit do të përkthehen realisht në anëtarësim. Debati për ndryshimin e procesit të zgjerimit, përmes një integrimi më gradual, është parë nga disa kandidatë si rrezik për krijimin e një sistemi me nivele të ndryshme anëtarësimi.

Në Ballkanin Perëndimor, përveç Malit të Zi dhe Shqipërisë, vendet e tjera kandidate si Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje-Hercegovina dhe Kosova kanë shënuar më pak përparim vitet e fundit.

Disa zyrtarë evropianë shprehin shqetësim për hendekun mes deklaratave pro-zgjerimit nga drejtuesit e BE-së dhe realitetit në terren, pasi edhe vendet më të avancuara mund të jenë ende disa vite larg anëtarësimit të plotë. Megjithatë, zërat që kërkojnë një vendim më të qartë për zgjerimin po shtohen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rritja e çmimeve dhe kostos së jetesës po e vështirëson…