Pensionistët e Kosovës: Pensionet nuk po mjaftojnë për shpenzimet bazë
Rritja e çmimeve dhe kostos së jetesës po e vështirëson gjithnjë e më shumë gjendjen e pensionistëve në Kosovë, të cilët kanë thënë se pensionet aktuale nuk u mjaftojnë për të mbuluar shpenzimet bazë mujore. Shumë prej tyre kanë theksuar se pa ndihmën e familjarëve do ta kishin të pamundur ta përballonin jetën e përditshme, ndërsa kërkojnë nga institucionet që të rishikojnë nivelin e pensioneve dhe t’i kushtojnë më shumë vëmendje kësaj kategorie.
Ramadan Bllaca, pensionist dhe veteran i arsimit, ka thënë se pensionet janë të ulëta dhe se ato nuk janë rritur prej kohësh. “Me pensionet nuk jam veç unë, po nuk janë asnjëri të kënaqur, se pensionet vërtetë janë shumë të ulëta dhe nuk janë rritur kaherë”, ka thënë ai.
Bllaca ka treguar se pa ndihmën e fëmijëve do ta kishte të vështirë ta përballonte muajin. “Vallahi, me qenë veç si individ unë, se unë jam veteran i arsimit, kam punuar para luftës, i marrim nja 100 euro shtesë, pak e kemi pension më të madh se të tjerët, po si individ s’e di a kisha mundur me ia dalë a jo, por më ndihmojnë fëmijët”, është shprehur ai.
Ai ka kërkuar që shteti t’i ketë parasysh pensionistët, pasi shumë prej tyre nuk arrijnë t’i mbulojnë shpenzimet mujore. “Pensionet, kjo kategori e pensionistëve që janë, duhet me hy nën kontrollin e shtetit edhe me i pasur parasysh, se nuk kanë kah jetojnë. Po nuk po flas veç për vete, se unë thashë se më ndihmojnë fëmijët, po ndiej se ka shumë pensionistë të cilët nuk munden ta mbulojnë kurrsesi muajin”, ka thënë ai.
Pavarësisht pakënaqësive, Bllaca ka shprehur shpresën se gjendja mund të përmirësohet, duke theksuar se ndihma duhet t’u ofrohet edhe kategorive të tjera në nevojë. “Po, njeriu jeton me shpresa dhe ne shpresojmë që ndoshta nesër, pasnesër do të bëhet më mirë. Ne nuk kërkojmë më shumë se të tjerët, se ne jemi shtetformues dhe jemi në formim e sipër. Nuk duam ne diçka më tepër, por duhet pak me i shikuar edhe kategoritë e tjera, mos me shiku me marrë sa më shumë, por me u kënaqur edhe me më pak, që edhe kategoritë e tjera të marrin. Se nuk janë veç pensionistët, por janë edhe shumë familje me ndihmë sociale që kanë nevojë për ndihma shtetërore”, ka deklaruar ai për “Ekonomia Online”.
Ndërsa pensionisti Bedriu ka thënë se nuk është i kënaqur me gjendjen aktuale, duke theksuar se rritja e çmimeve ka ndikuar edhe te pensionistët. “Po jo bre. Të gjithë e dinë se, për shembull, këtu u bë shtrenjtim si në Evropë. Të gjitha gjërat i ke më shtrenjtë. Me 47 vjet stazh i merr 240 euro. Ne kemi kontribuar për Buro Ramizin 10 vite. Asnjë pensionist një cent nuk fitojmë prej aty”, ka thënë ai.
Megjithatë, ai ka shtuar se pensioni i mjafton për disa shpenzime. “Po diçka po. Po, shpresojmë. Por ka shumë që marrin pa nevojë”, është shprehur ai.
Kurse pensionisti tjetër, Tahir Syla, ka thënë se nuk e merr pensionin e pleqërisë, por atë të veteranit, i cili, sipas tij, nuk është i mjaftueshëm. “Unë e marr pensionin e veteranëve, e ajo nuk po na mjafton, po më duket se tash e kanë bërë të mundshme me e marrë edhe pensionin e pleqërisë. E këtu dihet diçka munden me bë, se jo madje veç këto që janë duke i rregulluar, nuk e di sa, se jo me 200 euro”, ka thënë ai.
Syla ka treguar se për blerjen e duhanit dhe barnave, pensioni nuk i mjafton. “Me pi duhanin e barna, jo, jo valla”, është shprehur ai.
Ai nuk ka shprehur shumë shpresë për përmirësimin e gjendjes së pensionistëve, duke përmendur edhe mungesën e institucioneve të reja. “Vallahi, njëherë për njëherë s’po mendojmë. S’ka përmirësim, çfarë hallakame atje, s’është askund, qeveria s’është në nivel, s’është as populli, as askush”, ka thënë Syla.



