AKB-ja në ILO në Gjenevë: Kosova ende pa zë në Organizatën Botërore të Punës

21 shtator 2026 | 15:33

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, u prit në selinë e Organizatës Ndërkombëtare të Punës – ILO në Gjenevë, ku zhvilloi një takim me Mito Tsukamoto, drejtues e Employment in Investment (EMPINVEST) në Departamentin e Politikave të Punësimit në ILO.

Në takim u diskutua për rolin dhe pozitën e punëdhënësve dhe punëmarrësve në nivel global, me fokus të veçantë në zhvillimet në Kosovë, forcimin e dialogut social, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përfshirjen më të madhe të sektorit privat në politikat e punësimit dhe zhvillimit ekonomik.

Një ndër çështjet kryesore të diskutimit ishte perspektiva e Kosovës dhe mundësitë për pjesëmarrje më të madhe në aktivitetet dhe mekanizmat ndërkombëtarë të ILO-së në të ardhmen.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka prezantuar zhvillimet në Kosovë në fushën e dialogut social dhe Këshillit Ekonomik-Social, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit të denjë të punëdhënësve në proceset vendimmarrëse që lidhen me tregun e punës, ekonominë dhe politikat sociale.

Po ashtu, u diskutua për angazhimin ndërkombëtar të AKB-së dhe përfaqësimin e sektorit privat të Kosovës në Evropë, përfshirë angazhimin e AKB-së në mekanizma dhe struktura relevante të Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian – EESC në Bruksel.

“Kosova ka nevojë që zëri i punëdhënësve dhe i sektorit privat të dëgjohet më fuqishëm në nivel evropian dhe ndërkombëtar. Dialogu social nuk është vetëm çështje e institucioneve vendore, por një standard evropian dhe ndërkombëtar që ndikon drejtpërdrejt në punësim, investime dhe zhvillim ekonomik”, ka theksuar Shahini.

AKB-ja vlerëson se bashkëpunimi me ILO-n dhe institucionet ndërkombëtare të punës është i rëndësishëm për forcimin e pozitës së punëdhënësve të Kosovës, avancimin e dialogut social, krijimin e vendeve të reja të punës dhe integrimin e sektorit privat të Kosovës në rrjetet evropiane dhe globale.

Ai ka thënë se Aleanca Kosovare e Bizneseve do të vazhdojë angazhimin e saj për përfaqësimin e interesave të komunitetit të biznesit të Kosovës dhe ngritjen e zërit të punëdhënësve në institucionet evropiane dhe ndërkombëtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Shkollës Shqipe “Jehona e Malësisë” në Michigan, Agron…