Agron Dedivanaj në takim me kryeministrin Rama në Michigan: 175 nxënës, një vizion kombëtar dhe projekti madhor i Zef Berishaj për Qendrën Shqiptare 50 milionë dollarëshe

21 shtator 2026 | 14:30

Drejtori i Shkollës Shqipe “Jehona e Malësisë” në Michigan, Agron Dedivanaj, gjatë takimit me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, paraqiti një sërë kërkesash dhe propozimesh konkrete për forcimin e arsimit shqip, ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar në diasporë.

Në fjalën e tij, Dedivanaj theksoi se, ndonëse shkolla “Jehona e Malësisë” është vetëm në vitin e dytë të veprimtarisë, në bankat e saj mësojnë 175 nxënës shqiptarë.

“Për ne, ata nuk përfaqësojnë thjesht një statistikë. Ata janë 175 dëshmi të gjalla se gjuha shqipe mund të mbijetojë, të kultivohet dhe të transmetohet ndër breza edhe mijëra kilometra larg trojeve shqiptare”, u shpreh Dedivanaj.

Ai theksoi se integrimi i fëmijëve shqiptarë në shoqërinë amerikane nuk duhet të nënkuptojë asimilimin kulturor, duke nënvizuar nevojën që brezat e rinj të integrohen dhe të përparojnë në shoqërinë amerikane, pa humbur lidhjen me gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare.

Në fjalën e tij, Dedivanaj paraqiti katër iniciativa konkrete.
Së pari, ai kërkoi krijimin e një infrastrukture bashkëkohore arsimore për shkollat shqipe në diasporë.
Së dyti, propozoi mekanizma të qëndrueshëm për formimin profesional, trajnimin dhe certifikimin e mësuesve të diasporës, në bashkëpunim me institucionet kompetente të Shqipërisë dhe Kosovës.

Së treti, hodhi idenë e institucionalizimit të një programi kombëtar veror me emrin “Udhëtim drejt rrënjëve”, përmes të cilit fëmijët shqiptarë të diasporës do të kenë mundësi të njohin dhe përjetojnë nga afër historinë, kulturën dhe trevat shqiptare.

Ndërsa propozimi i katërt ishte krijimi i “klasave binjake”, një rrjet bashkëpunimi ndërmjet shkollave shqipe në diasporë dhe shkollave në Shqipëri e Kosovë, duke u mundësuar nxënësve komunikim dhe projekte të përbashkëta.

Qendra Shqiptare në Michigan, projekt me investim 40–50 milionë dollarë
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua edhe projektit për krijimin e një Qendre Shqiptare Kulturore, Edukative dhe Ekonomike në Michigan.

Dedivanaj bëri të ditur se kryetari i organizatës, Zef Berishaj, po punon për realizimin e këtij projekti, i cili sipas tij parashikon një investim prej rreth 40–50 milionë dollarësh.

Sipas vizionit të paraqitur, qendra synon të jetë më shumë se një objekt fizik, duke u konceptuar si një hapësirë ku ndërthuren kultura, arsimi, rinia, sipërmarrja dhe bashkëpunimi institucional ndërmjet diasporës dhe hapësirës shqiptare.

Për këtë projekt, Dedivanaj kërkoi partneritet strategjik dhe ndërinstitucional me Republikën e Shqipërisë, Republikën e Kosovës dhe institucionet përkatëse shqiptare.

“Jo për t’i shërbyer një krahine. Jo një organizate. Jo një origjine të caktuar. Por për t’i shërbyer kombit shqiptar në tërësinë e tij”, theksoi ai.

“Sfida është transmetimi i identitetit te brezat e ardhshëm”

Në përmbyllje të fjalës së tij, Dedivanaj e vendosi theksin te sfida e transmetimit ndërbreznor të gjuhës dhe identitetit shqiptar.

“Pyetja historike është: A do ta flasin shqipen kur të jenë 40 vjeç? A do t’ua transmetojnë atë fëmijëve të tyre?”, u shpreh ai.

Sipas Dedivanajt, brezi i parë i emigrantëve ka lidhje të drejtpërdrejta me vendlindjen, ndërsa brezat që lindin në Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për mekanizma të rinj arsimorë dhe kulturorë që t’i mbajnë të lidhur me gjuhën dhe identitetin shqiptar.
Ai e përmbylli fjalën me një mesazh për brezat e rinj:

“Unë jam shqiptar. E flas gjuhën shqipe. E njoh historinë time. E kultivoj kulturën time. Dhe e di prej nga vij.”

Dedivanaj theksoi se, nëse kjo arrihet, komuniteti shqiptar në diasporë nuk do të ketë ndërtuar vetëm një shkollë apo një qendër, por një vazhdimësi dhe një urë të qëndrueshme ndërmjet Amerikës dhe botës shqiptare.

Ja fjalimi plotë:

I nderuar zoti Kryeministër Edi Rama,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve,
Të nderuar bashkatdhetarë,
Zonja dhe zotërinj,

Është nder dhe privilegj i veçantë që sot t’ju drejtohem në emër të Shkollës Shqipe “Jehona e Malësisë” në Michigan — një institucion i ri në jetëgjatësi, por me një mision të madh në substancë dhe në përgjegjësi kombëtare.

Jemi vetëm në vitin e dytë të veprimtarisë sonë, por sot në bankat e kësaj shkolle ulen 175 nxënës shqiptarë.

Për ne, ata nuk përfaqësojnë thjesht një statistikë.
Ata janë 175 dëshmi të gjalla se gjuha shqipe mund të mbijetojë, të kultivohet dhe të transmetohet ndër breza edhe mijëra kilometra larg trojeve shqiptare.

Nelson Mandela ka thënë:
“Arsimi është arma më e fuqishme që mund të përdorësh për të ndryshuar botën.”
Për diasporën, arsimi ka edhe një dimension tjetër: ai është mekanizëm i transmetimit ndërbreznor të gjuhës, kujtesës historike dhe identitetit kulturor.

Fëmijët tanë po rriten si qytetarë amerikanë dhe dëshirojmë që ata të kontribuojnë denjësisht në shoqërinë amerikane. Por integrimi i suksesshëm nuk duhet të nënkuptojë asimilim kulturor.
Ne dëshirojmë që ata të integrohen pa harruar, të përparojnë pa u shkëputur dhe të ndërtojnë të ardhmen duke e ditur qartë prej nga vijnë.

Zoti Kryeministër,

kjo aspiratë nuk është vetëm emocionale;
ajo ka edhe një dimension kushtetues, institucional dhe strategjik.

Neni 8 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë përcakton angazhimin e shtetit ndaj shqiptarëve jashtë kufijve dhe ruajtjes së lidhjeve të tyre me trashëgiminë kulturore kombëtare.

Po kështu, kuadri ligjor për diasporën e vendos ruajtjen e identitetit gjuhësor, kulturor dhe arsimor ndër objektivat e marrëdhënies institucionale me diasporën.

Pikërisht mbi këtë premisë, ne besojmë se ka ardhur koha të kalojmë nga vullneti në mekanizma, nga iniciativa individuale në politika të qëndrueshme dhe nga lidhja sentimentale në partneritet institucional.

Prandaj propozojmë disa iniciativa konkrete.

-Së pari, një infrastrukturë bashkëkohore arsimore për shkollat shqipe në diasporë.

-Së dyti, krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm për formimin profesional, trajnimin dhe certifikimin institucional të mësuesve të diasporës, në bashkëpunim me institucionet kompetente të Shqipërisë dhe Kosovës.
Sepse mësuesi i diasporës nuk transmeton vetëm njohuri.
Ai është ndërmjetësi kulturor ndërmjet brezit që u largua dhe brezave që lindin larg atdheut.

-Së treti, propozojmë institucionalizimin e një programi kombëtar veror:
“Udhëtim drejt rrënjëve”.
Një fëmije mund t’i flasim për Krujën, Beratin, Shkodrën, Vlorën, Gjirokastrën apo Prizrenin.
Por ekziston një diferencë thelbësore ndërmjet ta mësosh atdheun dhe ta përjetosh atë.

Kur një fëmijë ecën mbi gurët e Krujës, dëgjon shqipen në rrugët e Tiranës, prek historinë në Shkodër, Berat e Gjirokastër apo viziton Prizrenin e Prishtinën, historia pushon së qeni vetëm kapitull libri.
Ajo shndërrohet në kujtesë personale.

-Së katërti, propozojmë krijimin e “klasave binjake”, një rrjet institucional ndërmjet shkollave shqipe të diasporës dhe shkollave në Shqipëri e Kosovë, ku nxënësit të komunikojnë, të zhvillojnë projekte të përbashkëta dhe të krijojnë marrëdhënie njerëzore afatgjata.
Sepse identiteti nuk trashëgohet vetëm biologjikisht.
Identiteti kultivohet.

Zoti Kryeministër,

dua ta shfrytëzoj këtë tribunë edhe për të sjellë në vëmendjen tuaj një projekt me potencial të jashtëzakonshëm për diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

Kryetari i organizatës sonë, zoti Zef Berishaj, me iniciativën, vizionin dhe angazhimin e tij personal, është duke punuar për realizimin e një Qendre Shqiptare Kulturore, Edukative dhe Ekonomike në Michigan.

Bëhet fjalë për një projekt madhor, me një vlerë të parashikuar investimi prej rreth 40–50 milionë dollarësh, i konceptuar për t’u shndërruar në një hapësirë referuese për komunitetin shqiptar në Amerikë.

Vizioni është shumë më i gjerë se infrastruktura fizike.
Një ndërtesë është konstruksion. Kurse një institucion është trashëgimi.

Ambicia është që kjo qendër të shndërrohet në një ekosistem kulturor, edukativ dhe ekonomik: një hapësirë ku ruhet gjuha, kultivohet kultura, edukohet rinia, fuqizohet sipërmarrja dhe ndërtohen ura institucionale ndërmjet diasporës dhe hapësirës shqiptare.

Prandaj, për një projekt të kësaj magnitude, kërkojmë një partneritet të gjerë strategjik dhe ndërinstitucional me Republikën e Shqipërisë, Republikën e Kosovës dhe institucionet relevante shqiptare.

Jo për t’i shërbyer një krahine.
Jo një organizate.
Jo një origjine të caktuar.
Por për t’i shërbyer kombit shqiptar në tërësinë e tij.

Një hapësirë e përbashkët për shqiptarët me prejardhje nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe çdo trevë tjetër ku është ruajtur ndër shekuj gjuha dhe identiteti ynë.
Sepse diversiteti ynë krahinor është pasuri, ndërsa uniteti ynë kulturor është kapital kombëtar.

Zoti Kryeministër,
sfida më e madhe që kemi përpara nuk është nëse këta 175 fëmijë flasin shqip sot.

Pyetja historike është:
A do ta flasin shqipen kur të jenë 40 vjeç?
A do t’ua transmetojnë atë fëmijëve të tyre?

Brezi ynë e di prej nga vjen. Ka kujtime, histori dhe lidhje të drejtpërdrejta me vendlindjen.
Por fëmijët tanë po lindin këtu.
Nipërit tanë do të lindin këtu.
Prandaj sfida e diasporës shqiptare të shekullit XXI nuk është vetëm ruajtja e identitetit.
Është transmetimi ndërbreznor i tij.

Dua që një ditë, kur dikush ta pyesë një prej këtyre fëmijëve:
“Prej nga je?”
ai të mos përgjigjet:
“Gjyshi im ishte shqiptar.”
Por të thotë:

“Unë jam shqiptar.
E flas gjuhën shqipe.
E njoh historinë time.
E kultivoj kulturën time.
Dhe e di prej nga vij.”
Nëse arrijmë këtë, nuk kemi ndërtuar vetëm një shkollë apo një qendër.
Kemi ndërtuar vazhdimësi.
Kemi krijuar një urë ndërmjet Amerikës dhe botës shqiptare dhe kemi transformuar diasporën nga një komunitet i lidhur me të kaluarën në një faktori aktiv i të së ardhmes sonë kombëtare.

Ne e kemi vullnetin.
Prindërit e kanë dëshirën.
Mësuesit e kanë përkushtimin.
Fëmijët i kemi në bankat e shkollës.

Tani është koha që kësaj energjie komunitare t’i japim dimension institucional dhe kësaj dashurie për atdheun t’i japim arkitekturë strategjike.
Sepse investimi më jetëgjatë që një komb mund të bëjë nuk matet vetëm me atë që ndërton sot.
Matet me atë që arrin t’ua transmetojë brezave të nesërm.

Zoti i bekoftë fëmijët dhe rininë tonë,
Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe trojet shqiptare,
dhe rrnoftë përjetë kombi shqiptar!

Faleminderit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka falënderuar të rinjtë dhe…