Në Lausanne të Zvicrës ndizet “Zjarri i Lirisë” në mbështetje të çlirimtarëve të Kosovës

12 shtator 2026 | 00:01

“Zjarri i Lirisë” është ndezur sonte edhe në Lausanne të Zvicrës, në një aktivitet në mbështetje të çlirimtarëve të Kosovës dhe kërkesës për drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.

Aktiviteti në Lausanne është organizuar nga Adriatik Hoxhaj, ndërsa përmes ndezjes së zjarrit është përcjellë mesazhi se sakrifica për lirinë e Kosovës dhe kujtesa për luftën e UÇK-së nuk harrohen.

“Një zjarr. Një kujtesë. Një kërkesë për drejtësi”, thuhet në njoftimin e organizatorit.

“Zjarri i Lirisë” është zhvilluar ditëve të fundit edhe në disa prej zonave operative të UÇK-së në Kosovë, përfshirë Llapin, Drenicën, Dukagjinin dhe Nerodimen, si dhe në vendlindjen e Jakup Krasniqit në Negroc. Në këto aktivitete është kërkuar drejtësi dhe liri për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Aktiviteti është pjesë e nismës “7 Zona, 7 Zjarre, Një Luftë, Një Kujtesë, Drejtësi”, e cila është zhvilluar në prag të “Marshit për Liri”, të paralajmëruar për 12 shtator në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Nga Kosova te mërgata, organizatorët kanë përcjellë mesazhin se mbështetja për çlirimtarët dhe kërkesa për drejtësi vazhdojnë edhe jashtë vendit.

“Liria nuk harrohet, sakrifica nuk shuhet”, thuhet në mesazhin nga Lausanne.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të premten, në sallën “Shani Nushi” në Gjakovë, u zhvillua…