Biznesmeni nga mërgata Behar Rashiti vendos banerin në Shtime në mbështetje të çlirimtarëve në Hagë
Në Kodrën e Qytetit të Shtimes është zbuluar një baner në shenjë mbështetjeje dhe solidariteti për çlirimtarët e UÇK-së që ndodhen në Hagë.
Iniciativa është ndërmarrë nga biznesmeni nga mërgata, Behar Rashiti, si shprehje e respektit, mirënjohjes dhe përkrahjes për ata që, sipas tij, sakrifikuan për lirinë e Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, i cili ka publikuar edhe pamje nga zbulimi i banerit.
“Me këtë iniciativë dëshmohet se mërgata jonë, edhe në largësi, vazhdon të dëshmojë se lidhja me atdheun dhe kujtesa për sakrificën e çlirimtarëve tanë mbeten të forta”, ka shkruar Reçica. Ai e ka përmbyllur mesazhin e tij me thirrjen:
“Me çlirimtarët tanë, me familjet e tyre dhe me të vërtetën e luftës së UÇK-së! Drejtësia do të triumfojë!”




