Mustafa: S’ka arsye që presidenti të lidhet me konstituimin e Kuvendit
Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se veprimi i liderit të Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, për të mos propozuar emër për kryetar të Kuvendit të Kosovës, po krijon presion ndaj partive opozitare dhe po synon adresimin e fajësisë tek to.
Mustafa ka vlerësuar se nuk ka arsye që zgjidhja për çështjen e presidentit të ndërlidhet me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
“Edhe pse nyja e problemit qëndron te gjetja e zgjidhjes për presidentin, vlerësoj se konstituimi i Kuvendit nuk ka arsye të lidhet me çështjen e Presidentit. Për të ardhur deri te Presidenti/ja duhet të përfundohet me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Të ketë përfunduar konstituimi. Veprimi i z. Kurti lë më shumë përshtypje për presion ndaj opozitës dhe për adresim të fajësisë sipas kuteve të tij”, ka thënë Mustafa për “Express”.



