Emiratet e Bashkuara Arabe: Irani shënjestroi një nga anijet tona në Hormuz
Një anije që i përkiste kompanisë shtetërore të naftës së Emirateve të Bashkuara Arabe, ADNOC, është sulmuar me raketa në Ngushticën e Hormuzit, gjatë orëve të mëngjesit.
Sipas raportimeve nderkombetare nga sulmi nuk pati viktima apo të plagosur.
Ministria e Punëve të Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe dënoi fuqimisht atë që e cilësoi si “shënjestrim të anijes së ADNOC nga Irani”. Në deklaratën e saj, ministria theksoi se sulmi përbën një shkelje të Rezolutës 2817 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila garanton lirinë e lundrimit dhe kundërshton shënjestrimin e anijeve tregtare apo pengimin e rrugëve ndërkombëtare detare.
Abu Dhabi akuzoi gjithashtu Gardën Revolucionare Iraniane për përdorimin e Ngushticës së Hormuzit si mjet presioni dhe shantazhi ekonomik, duke e cilësuar shënjestrimin e anijeve tregtare si “një akt piraterie”.
Sipas ministrisë, veprime të tilla përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin e rajonit, popullsinë e tij dhe sigurinë globale të energjisë.
Në përfundim, Emiratet e Bashkuara Arabe i bënë thirrje Iranit të ndalojë sulmet dhe kërkuan që Ngushtica e Hormuzit të rikthehet në lundrim të lirë dhe pa parakushte.



