Kosova drejt plakjes së popullsisë, Behrami paralajmëron pasoja për ekonominë dhe sistemin shëndetësor

09 gusht 2026 | 11:22

Plakja e popullsisë në Kosovë po shfaqet si një nga sfidat kryesore demografike të dekadave të ardhshme.

Sipas projeksioneve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), mosha mesatare e popullsisë pritet të arrijë në 49 vjeç deri në vitin 2060, si pasojë e emigrimit të vazhdueshëm, rënies së lindshmërisë dhe zvogëlimit të numrit të të rinjve.

Eksperti i demografisë, Sami Behrami, në një intervistë për Ekonomia Online, ka vlerësuar se këto zhvillime do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë jo vetëm në strukturën e popullsisë, por edhe në ekonomi, tregun e punës, sistemin pensional dhe atë shëndetësor.

“Trendet demografike në përgjithësi janë të pafavorshme, duke përfshirë edhe këtë tregues të moshës mesatare të popullsisë. Vetëm në periudhën 2011–2024, domethënë periudhën e dy regjistrimeve, kjo moshë ka lëvizur 6 vite. Kemi moshnim të moshës mesatare, 6 vite më të vjetër. Ky është fenomen i pritshëm, duke pasur parasysh trendet e pafavorshme me të cilat po ballafaqohet Kosova, sidomos me fluksin e lartë migrator, që është edhe një prej faktorëve kryesorë që ndikon në moshnimin e popullsisë. Meqenëse nga emigrimi grupmoshat më të atakuara janë grupmoshat e reja, zvogëlimi i pjesëmarrjes së grupmoshave të reja favorizon rritjen e grupmoshave të vjetra”, ka deklaruar Behrami.

Ai ka sqaruar se projeksionet demografike bazohen në të dhënat e Regjistrimit të Popullsisë dhe zakonisht hartohen përmes skenarëve të ndryshëm.

“Këto, zakonisht, parashikimet bëhen me skenarë me variante që njihen në fushën e demografisë, por janë të bazuara në të dhënat e regjistrimit të popullsisë, domethënë bazë për prognozat e fundit të popullsisë nga Agjencia e Statistikave është regjistrimi i popullsisë i vitit 2024”, është shprehur Behrami për Ekonomia Online.

Sipas tij, zonat kodrinoro-malore janë ndër më të prekurat nga zhvillimet e pafavorshme demografike, duke përfshirë plakjen e popullsisë.

“Në nivel komunal, domethënë zakonisht komunat të cilat në kuadër të territorit të tyre kanë zona kodrinoro-malore, janë zonat të cilat janë më të atakuara nga të gjitha zhvillimet e pafavorshme demografike, duke përfshirë edhe moshën mesatare dhe moshnimin demografik të popullsisë”, ka deklaruar ai.

Behrami ka paralajmëruar se plakja e popullsisë mund të ketë pasoja edhe në zhvillimin ekonomik, si dhe në sistemin pensional dhe atë shëndetësor.

“Zvogëlimi i fuqisë punëtore, domethënë grupmoshat e vjetra janë grupmosha të cilat në aspektin ekonomik janë më rezistente ndaj inovacioneve, e që është një prej faktorëve kryesorë të zhvillimit ekonomik të një vendi. Në fusha të tjera, moshat e reja janë ngarkesë për sistemin pensional, për sistemin shëndetësor, e që shpesh në shumë vende, si pasojë e normës shumë të lartë të grupmoshave të vjetra, skemat pensionale dhe sistemi shëndetësor janë shumë të ngarkuara me shpenzime për shëndetin, në radhë të parë, të këtyre grupmoshave”, ka përfunduar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lionel Messi po përjeton një nga momentet më të vështira…