Mot i nxehtë gjatë javës së ardhshme, temperaturat arrijnë deri në 36 gradë celsius
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka publikuar parashikimin e motit për periudhën 10–14 gusht, gjatë së cilës vendi pritet të përfshihet nga temperatura të larta dhe mot kryesisht me diell.
Sipas IHMK-së, temperaturat maksimale do të arrijnë deri në 36°C, ndërsa ditët më të nxehta pritet të jenë e marta dhe e mërkura.
Të hënën, të martën dhe të mërkurën do të mbajë mot kryesisht me diell dhe i nxehtë, me temperatura maksimale që do të lëvizin nga 30 deri në 36°C.
Të enjten pritet zhvillim i vranësirave konvektive, të cilat mund të sjellin reshje lokale shiu, bubullima dhe stuhi të izoluara. Temperaturat maksimale do të lëvizin nga 30 deri në 34°C.
Ndërkaq, të premten moti do të jetë kryesisht me diell, me vranësira të pakta deri mesatare dhe temperatura maksimale deri në 35°C.
IHMK ka paralajmëruar se temperaturat e larta dhe rrezatimi i shtuar diellor do të krijojnë ngarkesë termike, ndërsa niveli i rrezatimit UV pritet të jetë i lartë deri shumë i lartë.
Qytetarëve u rekomandohet të shmangin ekspozimin e drejtpërdrejtë ndaj diellit nga ora 10:00 deri në 16:00, të përdorin krem mbrojtës, kapelë dhe syze me mbrojtje UV, si dhe të konsumojnë sasi të mjaftueshme uji.
Kujdes të shtuar duhet të tregojnë fëmijët, të moshuarit dhe personat e ndjeshëm ndaj temperaturave të larta.



