Infantino në siklet, UEFA-ja, AFC-ja dhe CONCACAF-i bashkohen kundër tij dhe FIFA-s

10 gusht 2026 | 11:38

Presioni ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, është rritur ndjeshëm, pasi UEFA-ja, Konfederata Aziatike e Futbollit (AFC) dhe konfederata e Amerikës së Veriut, Qendrore dhe Karaibeve (CONCACAF) janë bashkuar në kritikat ndaj mënyrës së drejtimit të organizatës botërore të futbollit.

Tri konfederatat kanë publikuar një deklaratë të përbashkët, në të cilën kanë kritikuar mënyrën se si po udhëhiqet FIFA.

Ky zhvillim vjen pasi UEFA-ja ka konfirmuar javën e kaluar se do të vazhdojë bojkotin e aktiviteteve të FIFA-s. Vendimi ka mbetur në fuqi edhe pas tërheqjes së Infantinos nga plani kontrovers për shitjen e të drejtave të Botërorit te investitorë privatë, për të cilin kreu i FIFA-s kishte kërkuar edhe falje publike.

Në deklaratën e tyre, UEFA-ja, AFC-ja dhe CONCACAF-i kanë theksuar se zhvillimi i futbollit gjatë dekadës së fundit nuk mund t’i atribuohet një personi të vetëm.

“Futbolli është pasioni më i madh i përbashkët në botë. Ai nuk i përket asnjë individi apo institucioni. Ai u përket lojtarëve, tifozëve, klubeve, federatave anëtare dhe çdo institucioni të cilit i është besuar e ardhmja e tij.”

Tri konfederatat kanë vlerësuar si arritje të përbashkëta zgjerimin e turneve, caktimin e vendeve pritëse për Kupat e Botës 2030 dhe 2034, si dhe shpërndarjen e fondeve për federatat anëtare.

Megjithatë, ato kanë bërë të qartë se përplasja nuk lidhet me çështjet financiare apo me vendimet për zgjerimin e garave.

Sipas tyre, çështja kryesore është integriteti i futbollit dhe përgjegjësia e drejtuesve të zgjedhur për ta udhëhequr atë.

“Kur duhet të ketë përgjegjësi, mbizotëron heshtja; kur duhet të ketë transparencë, mbizotëron distanca. Këto nuk janë cilësi që futbolli i meriton nga drejtuesit e tij”, është thënë në deklaratën e përbashkët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktori britanik, Matt Smith, i cili interpreton Daemon Targaryen në…