Vendim “hibrid” i Gjykatës Kushtetuese, president konsensual ose zgjedhje para dhjetorit
Gjykata Kushtetuese doli me vendim në një afat kohor rekord, do ta quaja.
Limboja institucionale e krijuar tash e dy vjet, e cila shkaktoi krizë kushtetuese, kërkonte reagim të shpejtë.
Gjykata Kushtetuese nxori një verdikt “hibrid”: një qeveri legjitime nga një Kuvend i konstituuar jashtë afatit kushtetues. Ky është tashmë një precedent i interpretimit kushtetues që mund të keqpërdoret në të ardhmen. Por, mbase, duke pasur parasysh momentin në të cilin ndodhet Kosova, ky vendim “hibrid” mund të jetë i dobishëm? Vendimi ofron mundësi për shmangien e zgjedhjeve të radhës, duke zgjedhur Presidentin, apo për shkuarjen në zgjedhje para periudhës së festave të Vitit të Ri.
Meqë Gjykata Kushtetuese e tha fjalën e saj, tash është radha e spektrit politik të tregojë pjekurinë dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve.
Seanca e parë e Kuvendit do të duhej të tregonte konsensusin politik, i cili do të mishërohej në një rezolutë të përbashkët, tashmë të elaboruar me detaje nga analistë, vëzhgues dhe publicistë. Edhe pse rezoluta nuk ka fuqi obligative, ajo e kornizon konsensusin rreth temës e cila e ka tronditur opinionin publik, shoqërinë civile, spektrin politik, por edhe komunitetin ndërkombëtar. Konsensusi politik do të ndikonte seriozisht në ruajtjen e qetësisë publike, krijimin e perspektivës dhe seriozitetit veprues institucional.
Pas krijimit të konsensusit, Kuvendi mund të kalojë në zgjedhjen e Presidentit/Presidentes, një figurë e pranueshme nga spektri politik, i/e cili/a do të angazhohej të ruante konsensusin rreth temës që trajton rezoluta (Dhomat e Posaçme të Gjykatës).
Mendoj se projektligji për Dhomat e Posaçme të Gjykatës do të duhej të shqyrtohej pas zgjedhjes së Presidentit, meqenëse ky i fundit do të ishte garant i trajtimit të temës në fjalë, interlokutor me komunitetin ndërkombëtar dhe koordinues i rrjetit diplomatik të Kosovës në temën e Dhomave të Posaçme, si dhe mbikëqyrës i punimeve të saj.



