Ku gabuam?

24 shtator 2026 | 11:35

Shkruan: Ganimete Musliu

Ndoshta pyetja më e rëndë që duhet t’ia bëjmë vetes sot nuk është: “Pse ndodhi kjo?” Por: “Ku gabuam?”.

Sepse historia nuk është gjithmonë e drejtë me ata që e kanë shkruar me gjak.

E drejtësia nuk është gjithmonë aq e shpejtë sa dhimbja e atyre që e kanë pritur.

Mund të ketë ndryshuar bota. Mund të kenë ndryshuar aleancat. Mund të kenë ndryshuar interesat. Mund të ketë ndryshuar konteksti politik ndërkombëtar.

Por nuk ka ndryshuar e vërteta. Nuk ka ndryshuar e vërteta për Kosovën. Nuk kanë ndryshuar sakrificat e popullit të saj. Nuk janë zhdukur varret. Nuk janë fshirë plagët. Nuk janë kthyer të gjallët. Historia nuk mund të rishkruhet vetëm sepse koha ka ndryshuar qëndrim.

Ndoshta gabimi ynë më i madh ishte se besuam se ajo që ishte e drejtë do të ishte gjithmonë e mjaftueshme për ta bindur botën. Se mjaftonte që ne ta dinim të vërtetën.

Por, historia nuk mbrohet vetëm duke e ditur. Historia mbrohet duke e dëshmuar.

Me dokumente. Me arkiva. Me dëshmi. Me diplomaci. Me dije. Me këmbëngulje.

Dhe kur një popull nuk e shkruan vetë historinë e tij, gjithmonë do të ketë dikush tjetër që do të përpiqet ta shkruajë për të.

Prandaj, ndoshta sot nuk është koha për t’i ikur pyetjes “Ku gabuam?”.

Është koha për ta bërë atë pyetje deri në fund. Sepse një popull që nuk guxon të përballet me gabimet e veta, rrezikon t’i përsërisë ato.

Por një popull që e njeh të vërtetën e vet, edhe kur drejtësia e vonon, edhe kur politika e harron, edhe kur bota ndryshon, nuk ka të drejtë ta harrojë veten.

Sepse mund të ndryshojë konteksti politik.

Mund të ndryshojë gjuha e diplomacisë. Mund të ndryshojnë interesat e fuqive. Mund të ndryshojnë aleatët dhe rrethanat.

Por, një gjë nuk mund të ndryshojë me votë, me mandat, me marrëveshje apo me aktgjykim:

E vërteta e një populli që pagoi çmimin e lirisë me jetët e bijve të vet. Dhe nëse ka mbetur edhe vetëm 1 për qind shans, ne do të luftojmë.

Jo me urrejtje. Jo me hakmarrje. Por me të vërtetën, me dëshmi, me drejtësi dhe me këmbëngulje.

Sepse kjo nuk është vetëm një betejë për ata që sot janë në Hagë. Është betejë për mënyrën se si do të kujtohet Kosova nesër. Dhe ne do të luftojmë. Për të vërtetën. Për dinjitetin. Për historinë. Sepse disa beteja nuk humben kur bie një vendim.

Humbin vetëm atëherë kur një popull heq dorë së luftëtari për të vërtetën e vet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Prof. Agim R. ZOGAJ E vërteta, për luftën e…