Ramadani ia numëron LV-së ditët e bllokadës: Duhet të ishim në Kuvend për të votuar ligje për qytetarët
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, është shprehur lidhur me vazhdimin e bllokadës së Kuvendit, duke e akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për joseriozitet dhe humbje të kohës së institucioneve.
Ramadani, përmes një reagimi në “Facebook”, është shprehur se sot deputetët do të duhej të ishin në sallë për të votuar ligje në shërbim të qytetarëve. Sipas tij, Kuvendi po përballet me bllokadë nga partia në pushtet.
“Dita 3 e bllokimit të Kuvendit nga Vetëvendosje! Sot, deputetët e kësaj legjislature do të duhej të ishin të mbledhur në sallë për të votuar ligje që lehtësojnë jetën e qytetarëve. Në vend të kësaj, përballemi me bllokadë dhe joseriozitet total nga partia në pushtet”,ka shkruar Ramadani.
Ai është shprehur se Kosova po humb kohë të çmuar dhe se përgjegjësia, sipas tij, është e qartë.
“Mbajeni pushtetin që u ka takuar nga vota, por harrojeni se mund ta mbani të bllokuar shtetin!”, ka shkruar Ramadani.



