Shqipëria kundërshton deklaratën e Vuçiqit për Ujmanin: Uji s’mund të përdoret si presion politik
Shqipëria ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka thënë se ndryshimi i rrjedhës së një lumi ndërkufitar nuk mund të trajtohet si çështje e brendshme dhe as të bëhet në mënyrë të njëanshme, veçanërisht kur pasojat mund të prekin territorin, mjedisin, sigurinë ujore dhe furnizimin me ujë të një shteti tjetër.
“Ndryshimi i rrjedhës së një lumi që përbën pjesë të një sistemi ujor ndërkufitar nuk është një çështje thjesht e brendshme apo një vendim që mund të merret në mënyrë të njëanshme, veçanërisht kur pasojat e tij prekin drejtpërdrejt territorin, mjedisin, sigurinë ujore, furnizimin me ujë dhe jetën e qytetarëve të një vendi tjetër”, ka deklaruar Hoxha në platformën “X”.
Ai ka theksuar se Shqipëria pret që Serbia të respektojë detyrimet ndërkombëtare dhe parimet e fqinjësisë së mirë, duke përfshirë përdorimin e drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare.
Sipas Hoxhës, e drejta ndërkombëtare përcakton edhe detyrimin për parandalimin dhe reduktimin e dëmeve ndërkufitare, si dhe për bashkëpunim, shkëmbim informacioni dhe konsultim për çdo masë që mund të ketë pasoja përtej kufijve.
Ai ka rikujtuar se Serbia është palë e Konventës së UNECE-së për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Ujërave Ndërkufitare dhe Liqeneve Ndërkombëtare që nga viti 2010 dhe se ka pranuar mekanizmat e saj për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
“Uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik dhe as si mjet për të ndëshkuar një vend apo një popullsi tjetër”, ka shkruar Hoxha.
Ministri shqiptar ka shprehur gjithashtu mbështetjen e Shqipërisë për të drejtën e Kosovës për siguri, zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e burimeve të saj ujore.
“Ne besojmë fort dhe presim që çështje të tilla të trajtohen përmes dialogut, bashkëpunimit dhe standardeve evropiane, jo përmes kërcënimeve apo ndërhyrjeve e veprimeve të njëanshme”, ka përfunduar Hoxha.



