Riaktivizohet një tjetër vatër zjarri në Krujë

10 gusht 2026 | 17:01

Një tjetër vatër zjarri është riaktivizuar në lagjen “Abaze” të Krujës, vetëm pak ditë pasi qyteti u përfshi nga zjarre të fuqishme që për orë të tëra rrezikuan zonat e banuara.

Gjatë fundjavës, flakët u afruan deri në oborret e shtëpive, duke detyruar autoritetet të evakuonin banorët. Situata më e rëndë u paraqit në lagjet Barabit dhe Lluban, ku zjarri, i favorizuar nga erërat e forta, u përhap me shpejtësi në drejtim të zonave të banuara.

Shtëpitë fatmirësisht nuk pësuan dëme, ndërsa një magazinë u përfshi nga flakët. Sipërfaqe të mëdha me bimësi u dogjën, ndërsa zona përreth banesave u shkrumbuan.

Flakët rrezikuan edhe Spitalin e Krujës, duke iu afruar rreth 50 metra ndërtesës. Për shkak të rrezikut, pacientët u evakuuan dhe u dërguan drejt Tiranës. Zjarri rrezikoi gjithashtu një biznes përgjatë rrugës që çon drejt malit të Krujës, ku flakët u afruan deri në oborrin e lokalit.

Për zjarrin që shkaktoi situatën e rëndë, Policia arrestoi 73-vjeçarin Qemal Berhami. Sipas autoriteteve, ai kishte ndezur barishte pranë banesës së tij, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën me shpejtësi, duke rrezikuar qytetin e Krujës.

Ndërkohë, edhe në zona të tjera të Shqipërisë janë raportuar vatra aktive zjarri. Në Mallakastër është riaktivizuar një vatër në zonën e Panahorit, ndërsa flakët janë përhapur edhe në drejtim të Greshicës.

Një tjetër vatër është raportuar në zonën mes fshatit Drenije të Bashkisë Patos dhe Vloshtit të Bashkisë Roskovec.

Zjarri është riaktivizuar edhe në Gjirokastër, në zonën ndërmjet fshatrave Andon Poçi dhe Hundëkuq, duke paraqitur rrezik për përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka kritikuar ashpër situatën politike…