BE-ja sërish bën thirrje: Partitë të arrijnë pajtim për një president konsensual

11 gusht 2026 | 08:27

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se vonesat në funksionalizimin e institucioneve të Kosovës mund të rrezikojnë përfitimin e vendit nga fondet e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Në një përgjigje për RTV21, një zëdhënës i Komisionit Evropian ka thënë se vetëm një dialog efikas ndërpartiak dhe një qëllim i përbashkët do t’i mundësonin Kosovës të ndjekë objektivat e përbashkëta dhe të zbatojë reformat e kërkuara.

Paralajmërimi i BE-së vjen në kohën kur Kosova po përballet me bllokadë institucionale, pas dështimit të konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së presidentit të ri.

“BE-ja u ka bërë vazhdimisht thirrje të gjithë aktorëve politikë që të sigurojnë stabilitet institucional. Është thelbësore që institucionet e Kosovës të konstituohen pa vonesa të mëtejshme, në përputhje me kornizën kushtetuese dhe procedurat e përcaktuara”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian.

Sipas tij, vonesat në formimin e institucioneve mund të pengojnë reformat e rëndësishme dhe të ndikojnë në aftësinë e Kosovës për të përfituar plotësisht nga mundësitë e ofruara nga BE-ja, përfshirë fondet e Planit të Rritjes.

“Prandaj, arritja e shpejtë e një marrëveshjeje ndërmjet partive politike për një kandidat konsensual për president është veçanërisht e rëndësishme. Vetëm një dialog efikas ndërpartiak dhe një qëllim i përbashkët do t’i mundësojnë Kosovës të ndjekë objektivat e përbashkëta dhe të zbatojë reformat që kërkojnë qytetarët e saj”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Kosova rrezikon të humbasë një pjesë të financimit nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje, për shkak të vonesave në zbatimin e reformave.

Institucionet e Kosovës kanë bërë kërkesën e parë për disbursimin e fondeve më 15 korrik 2026, ndërsa Komisioni Evropian është duke vlerësuar raportimin për hapat e ndërmarrë në kuadër të reformave.

Megjithatë, situata politike dhe vonesat në zbatimin e reformave e kanë vënë në pikëpyetje këtë financim. Kërkesa e institucioneve kosovare për fonde lidhet me hapa që fillimisht duhej të përmbusheshin në dhjetor 2024, qershor 2025 dhe qershor 2026.

Ndërkohë, në fund të këtij viti Kosovës i skadon edhe një afat tjetër i tolerancës së dhënë nga BE-ja për 27 hapa reformues, të cilët fillimisht duhej të përmbusheshin në dhjetor 2024 dhe më pas në dhjetor 2025.

Nëse këto hapa nuk përmbushen, Kosova rrezikon një shumë të përgjithshme prej 165.9 milionë eurosh.

Në kuadër të Agjendës së Reformave, Kosova duhet të zbatojë gjithsej 111 hapa, të cilët përfshijnë reforma në administratën publike, sundimin e ligjit, sektorin e energjisë, digjitalizimin, zhvillimin e sektorit privat dhe arsimin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në ”Click” të RTV21, ka…