Ekstradohet nga Shqipëria në Kosovë një i dënuar me 11 vjet e 6 muaj burgim për vrasje
Policia e Kosovës ka njoftuar se një shtetas kosovar, i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar, është ekstraduar sot nga Shqipëria në Kosovë, përmes pikës kufitare në Vërmicë.
Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), në koordinim me njësitë relevante policore dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar ekstradimin e të dyshuarit, i cili ndodhej në arrati.
Sipas policisë, personi ishte arrestuar nga autoritetet shqiptare, bazuar në një urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar përmes INTERPOL-it nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.
Ai ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Vrasje”, për të cilën është dënuar me 11 vjet e 6 muaj burgim. Pas përfundimit të procedurave të ekstradimit, i dënuari iu dorëzua njësive përkatëse të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, për procedurat e mëtejshme ligjore dhe dërgimin e tij në qendrën korrektuese për vuajtjen e dënimit. Policia e Kosovës ka vlerësuar se ky ekstradim është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë.



