Zgjedhjet e 7 qershorit vlerësohen të lira dhe konkurruese, por kërkohet hetim për votimin jashtë vendit
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit janë vlerësuar përgjithësisht në përputhje me standardet demokratike për zgjedhje të lira, konkurruese dhe të drejta, ndërsa nuk janë evidentuar probleme që do ta cenonin integritetin e përgjithshëm të procesit.
Këto vlerësime janë bërë në konferencën “Forcimi i Integritetit Zgjedhor: Gjetjet dhe Rekomandimet nga Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare 2026”, të organizuar nga koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” (DnV). Sipas vlerësimeve të DnV-së, administrimi i zgjedhjeve ishte përgjithësisht profesional dhe teknikisht më i mirë se në proceset e mëparshme. Megjithatë, janë evidentuar sfida në qasjen në vendvotime, veçanërisht për personat me aftësi të kufizuara, në zbatimin konsistent të procedurave, si dhe në mjedisin digjital informativ.
Zëvendësambasadori i Zvicrës, Christoph Fuchs, ka thënë se zgjedhjet janë zhvilluar në një mjedis të qetë, konkurrues dhe paqësor, duke vlerësuar punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). “Zgjedhjet e fundit janë bërë në një mjedis të qetë, kompetitiv dhe paqësor. KQZ ka administruar shumicën e rasteve profesionalisht dhe PZAP po ashtu ka treguar profesionalizëm, këto janë arritjet e rëndësishme. Raportet tregojnë për vështirësi në gjetjen e pikave të votimit, mungesa në qasje për persona me aftësi të kufizuara dhe aplikimi konsistent i procedurave dhe sfidat në mjedisin digjital informativ”, ka thënë Fuchs.
Ai ka theksuar se këto nuk janë vetëm çështje teknike, por lidhen edhe me besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor dhe në institucionet. “Qytetarët duhet të besojnë se ligjet aplikohen për të gjithë paralelisht dhe se vota është e mbrojtur dhe e fshehur. Zgjedhjet nuk i zëvendësojnë institucionet funksionale, akterët politikë duhet të jenë në gjendje të mos pajtohen, pa lejuar që të parandalohet funksionalizimi institucional. Dalja e ulët në votim ka theksuar nevojën për institucione efektive”, ka thënë ai.
Ndërsa Eugen Cakolli nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka deklaruar se zgjedhjet e 7 qershorit kanë qenë teknikisht më të mira se proceset paraprake, por sipas tij, në aspektin politik ato dëshmojnë se vendi po shkon në zgjedhje si pasojë e krizave që nuk po zgjidhen përmes proceseve politike. “Zgjedhjet e 7 qershorit janë zhvilluar përgjithësisht në përputhje me standarde demokratike për zgjedhje të lira, konkurruese dhe të drejta. Administrimi i procesit ishte në përgjithësi profesional dhe DnV-ja nuk ka evidentuar probleme që do ta cenonin integritetin e përgjithshëm të zgjedhjeve”, ka thënë Cakolli.
Ai ka vlerësuar se KQZ-ja, në pjesën dërrmuese, e ka administruar procesin në mënyrë më profesionale sesa në proceset e mëparshme. “Teknikisht këto zgjedhje ishin dukshëm më të mira se ato që lamë pas, por politikisht këto zgjedhje janë dëshmi se vendi po hyn në zgjedhje për shkak të krizave që nuk zgjidhen përmes zgjedhjeve”, ka thënë Cakolli.
Sa i përket votimit jashtë vendit, Cakolli ka thënë se ky proces ka qenë më pak i politizuar dhe më i rregullt, por ka mbetur një çështje që kërkon trajtim nga institucionet e hetuesisë. “Ndonëse procesi i votimit jashtë vendit ka qenë më pak i politizuar dhe më i rregullt, mbetet një çështje serioze, e cila kërkon trajtim nga ana e institucioneve të hetuesisë, që ndërlidhet me rastet e publikimit në rrjete sociale të grupeve të organizuara të votuesve që plotësonin numër të madh të fletëvotimeve”, ka thënë ai.
Në mesin e çështjeve që kërkojnë trajtim të mëtejshëm është përmendur edhe votimi jashtë vendit. DnV-ja ka ngritur shqetësimin lidhur me publikimet në rrjetet sociale, ku pretendohet se grupe të organizuara votuesish kanë plotësuar një numër të madh të fletëvotimeve, duke kërkuar që këto raste të trajtohen nga institucionet përkatëse të hetuesisë.



